Vrasja e një bukurie

0

Shkruan h. Sulejman ef, Rexhepi

Këtyre ditëve nëpër mediat elektronike po qarkullon një video inçizim i Xhamisë së Carshisë në Prilep. E djegur nga dora zullumqare në vitin 2001, e lënë në mëshirë të dhëmbit të kohës dhe të njerëzve të pandërgjegjshëm, ky monument fetar e kulturor që daton nga shekulli XV, po bëhet harap, po shndërrohet në deponi mbeturinash dhe në toalet publik. Turp dhe gjynah që bie mbi njerëzit e pandërgjegjshëm, por edhe më turp për institucionet përgjegjëse të shtetit të cilat po lejojnë një vandalizëm të këtillë.

Më shumë se pesëmbëdhjetë vjetë po përpiqem bashkë me kolëgë, personalisht dhe në emër të Bashkësisë Islame po i animoj institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që bukuria e rallë e Carshi Xhamisë të rikthehet bashkë me funksionin e sajë primar. Nuk ka derë në të cilën nuk kemi trokitur, nuk ka funksionar politik, parti apo Qeveri nga e cila nuk kemi kërkuar të na ndihmojnë të ringjallim këtë shtëpi të Zotit.Përherë kemi hasur në vesh të shurdhër ose në premtime boshe.Më shumë se kaq nuk e di çfarë mund të bëjmë.Por, megjithatë,unë dhe Bashkësia Islame nuk heqim dorë deri sa kjo xhami e veçantë të shkëlqejë sërish dhe deri sa nga minareja e sajë sërish të dëgjohet thirrja për namaz .

Do e bëjmë këtë përpjekje sepse xhamitë paraqesin pjesën përbërëse të ekzistencës të çdo praktikuesi  të fesë islame . Ato janë vendtubimi i xhematit dhe orientues i mbindërtimit shpirtëror e fetar, edukativ, arsimor e kulturor  të tijë. Ndërtimi ose rindërtimi i një xhamie dëshmon besimin e njeriut në mëshirën e Allahut.Xhamitë janë vullnet i Zotit dhe për këtë shkak, aty ku Zoti ka vënë pikë ne nuk do vejmë presje.Tekefundit, përkujdesja për shtëpitë e Allahut është një nga obligimet e Bashkësisë Islame dhe pjesë e misionit të çdo teologu islam.

Dhe, jam i vetëdijshëm se pengesat për revitalizimin e Carshi Xhamisë burojnë nga forca retrograde të instaluara në shoqërinë tonë, nga njerëz të mjerë të cilët nuk dijnë se si të ballafaqohen me një bukuri  të llojit të kësaj xhamie. Këto pengesa vijnë nga njerëz të cilët e bjerin kohën e tyre dhe i harxhojnë ditët e kësaj jete duke mos e gjetur kuptimin në ditën e sotme a të nesërme por duke jetuar në ditën e djeshme. Të jetosh me dilemat dhe paqartësitë e të kaluarës, të plotësosh vehten me urrejtje dhe të kanalizosh gabimisht atë urrejtje, do të thotë një jetë e kotë. Është vërtetë mjerim i skajshëm dhe errësim i mendjes kur përpara syve ke nje bukuri të rallë dhe atë e shndëron  në deponi dhe toalet publik.Budallenjtë janë hajna të sojit më të keq, ata të vjedhin edhe kohën edhe disponimin.

Sidoqoftë, mbetet fakti se bukuritë që i hasim në Tokë, pra edhe ndërtimet e llojit të çarshi Xhamisë, janë një shenjë e dukshme e dashurisë që Zoti ka për njeriun. Cdo bukuri që  Zoti e ka krijuar i është dhuruar njeriut, dhe çdo gjë të bukur që ka krijuar njeriu, per Zotin e ka bërë.

Fatkeqësisht, urrejtja, smira dhe mëkati, në Prilep po e dëmtojnë dimensionin e bukurisë që njeriu ia ka kushtuar Zotit të vetë , po ia mohojnë njerëzve ndjenjën e gëzimit dhe mundësinë për t’a shijuar bukurinë. Në Prilep, duke e djegur xhaminë që është ndoshta e para që është ndërtuar në Evropë dhe duke u sjellur në mënyrën më primitive ndaj rrënojave të sajë , nuk është djegur thjeshtë një objekt, është djegur raporti mes njerëzve. Aq më keq, është djegur raporti i njerëzve me Zotin. Jo i të gjithëve, shpresoj.

Komentet

komentet