Xhemshit Krosi nga Shkupi, fetar e atdhetar (1901-1993)

EUGEN SHEHU

Fati tragjik na ka përcjellë ne shqiptarëve si kudo edhe në rrafsh të arsimit kombëtar. Duke ditur se gjuha dhe shkronjat shqipe ishin të lidhura ngushtë me zgjimin e vetëdijes sonë nacionale, armiqtë tanë shekullorë, nuk reshtën askurrë rrebeshet e luftërave pikërisht nda ABC-së. Sulmi i tyre, kudo ku ka qenë i ideuar, në Beograd, Shkup apo Athinë, tek e mbramja ka dashur të zhduk gjuhën tonë të bukur për të zhdukur më pas dhe kulturën kombëtare. Në këtë mënyrë duke mos u pajtuar assesi me humbjen fatale të gjuhës së nënës, janë me dhjetëra e qindra martirë të shqipes, të cilët në mënyrë të veçantë në shekullin që lamë pas, mbrojtën germat e arta të alfabetit tonë, me veprën dhe jetën e tyre. Në këtë plejadë të shkëlqyer burash, natyrisht ka vendin e vet të merituar edhe Xhemshid Krosi, fetari që tok me paqen e Zotit  predikoi kurdoherë mirësinë e germave të gjuhës së bukur shqipe.

Xhemshid Krosi lindi në fshatin Rashçe të Shkupit në vitin 1901. Do të ishte akoma i vogël në klasat e para të shkollës fillore atëherë kur do të mësonte se atdheun  e vet, Shqipërinë e patën copëtuar diku larg në një vend të quajtur Londër. Rashçja, ashtu sikundër gjithë viset e Maqedonisë shqiptare në vitin 1913 u përfshi nga flakët. Shkolla në gjuhën shqipe u mbyll dhe administrata serbe vendosi sanksione të dhunshme ndaj çdo banori të këtyre viseve që shfaqte hapur shqiptarizmin e vet. Për shkak të dhunës së egër të ushtruar mbi shqiptarët, mjaft prej tyre për t’i shpëtuar përndjekjeve u regjistruan si turq, me ç’rast në mjaft fshatra të Shkupit, Tetovës, Gostivarit etj, u hapën disa shkolla turke. Një shkollë e tillë u hap edhe në Rashçe, drejtuar nga hoxha në xhami, ndaj dhe Xhemshidi do të mësonte së bashku me mësimet e para të fshehtat  e bukura të fesë islame. Ndërkaq mësuesi i tij Hafëz Muniri, nuk u mjaftua vetëm me një transmetim mekanik të dijeve. Ai përpiqej në çdo rast që mësimet e fesë ndonëse në gjuhën turke,  të ishin sa më të kuptueshme për nxënësit e vet dhe për më tej, të ndërthureshin me historinë e lavdishme të trojeve shqiptare. Ngase kreu me sukses mësimet në shkollën fillore, i jati Aliu duke patur edhe ndërhyrjen e sinqertë të Hafiz Munirit,  e dërgoi të birin në medresenë “Alaudin” në Shkup. Edhe këtu do të binte në sy etja e madhe e djalit të vogël të Rashçes, për tiu futur sa më thellë në të fshehtat e fesë dhe falë një rryme atdhetare në medrese, qysh kur ishte nxënës aty, nisi nga përkthimet e disa lutjeve prej arabishtes në shqip. Me mbarimin e medresesë “Alaudin” Xhemshidi u nënshtrohet disa provimeve të tjera shtetërore me ç’rast titullohet Imam. Natyrisht ishte në dorën e tij të vazhdonte të predikonte në xhami, apo të merrej me veprimtari të tjera. I ushqyer me ndjenja të fuqishme atdhetare, Xhemshidi preferoi të ndikonte sado pak në rrjedhat politike të bashkëkombësve të vet. Siç dihet, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, trevat e Maqedonisë Shqiptare ranë nën pushtimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Kjo Mbretëri në të vërtetë kërkonte zgjidhje të reja politike duke shpallur një lloj pluralizmi politik sërish radikal që zotëronin krejt Mbretërinë, duke u përpjekur të godisnin dy formacionet e tjera siç ishin Partia e Xhemijetit dhe ajo Demokratike. Nisur nga idetë që shpaloste dhe mbronte, Partia Demokratike e asaj kohe në Shkup, pati mbledhur rreth vetes mjaft personalitete të shquar të cilët propagandonin pos tjerash largimin e mërive etnike, pra në një far mënyre i kundërviheshin politikave të shfarosjes e terrorit të Beogradit ndaj shqiptarëve apo kombësive të tjera josllave. Xhemshid Krosi, ishte në radhët e para të kësaj partie në Shkup, ndaj dhe ishte punësuar në administratën e qytetit, falë arsimit të marrë dhe pjekurisë që rrëfente. Ndërkaq në zgjedhjet komunale të gushtit të vitit 1920, autoritetet serbe ndërmuarën një varg masash që të pengonin zgjedhjet e lira me ç’rast radikalët donin të kishin ende pushtetin në duart e tyre. Në ndihmë të radikalëve nuk munguan as forcat e policisë, të cilat ani pse nuk duhej të merreshin me zgjedhjet, vendosnin terror ngado ku shkonin. Kanë qenë pikërisht këto forca, të cilat në mënyrë të fshehtë u kanë bërë presion liderëve demokratë apo atyre të Xhemijetit, ku në mënyrë të veçantë është thirrur Imami Xhemshid Krosi. Me urtësinë që e karakterizonte biri i Rashçes u ka kumtuar policisë të Shkupit, se në idetë e tij, ishte i vendosur dhe asgjë nuk do të mund të ndalonte të kthehej mbrapsht nga rruga e nisur. Në po këto momente përfaqsuesit demokratë i drejtoheshin me një telegram proteste Beogradit ku pos të tjerave e bënin me dije se : “Kandidatët demokratë nuk kanë siguri politike ndërsa gjëndja këtu është ndërlikuar në përmasa të mëdha”. (Arhiv Jugosllavije MUP. f. 13, J. 43, telegram datë 14-8-1920, dërguar MPB të Mbretërisë SKS ).

Menjëherë sapo radikalët muarën pushtetin vendor në Shkup, nisën nga hakmarrjet ndaj kundërshtarëve të tyre politikë. Në vargun e veprimtarëve të këtij formacioni politik, Xhemshid Krosi ishte ndër të parët që u arrestua. Gjykata e Shkupit u përpoq të montojë disa akuza false dhe brenda dy-tri javëve e dënoi imamin e Rashçes me 101 vjet burg. Fjala e tij në gjyq ishte një aktakuzë e drejpërdrejt që Xhemshidi i bënte Mbretërisë SKS,  e cila që në lindje të saj dëshmonte se frymëzohej nga paranoja e mërive etnike. Por me këtë vendim të gjykatës, nuk u pajtuan asesi liderët e partisë Demokratike, të cilët e ngritën zërin e tyre të fuqishëm deri në parlamentin e Beogradit. Me këtë rast gjykata e Shkupit u detyrua të formulonte një aktakuzë tjetër disi më të butë, duke e liruar Xhemshidin nga burgu menjëherë, përkundër pagesës së një shume parash. Pas kësaj Xhemshid Krosi shkon përsëri në fshatin e vet, në Rashçe. Këtu të gjithë e duan dhe e nderojnë, mandej ka edhe prej atyre familjeve që e thërasin në shtëpitë e tyre, për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, duke ia lehtësuar në këtë mënyrë sadopak barrën e mbajtjes së familjes. Tashmë jo vetëm në Rashçe, por në mjaft fshatra të Karshiakes së Shkupit, emri i Mulla Xhmeshidit përcillet me respekt. Në vitet 1925-1926 falë profesionit të tij, Xhemshidi do të lidhej edhe me lëvizjen e fshehtë kaçake në vise të Maqedonisë shqiptare. Përmes këtyre lidhjeve, Mulla Xhemshidi do të furnizonte libra prej shtetit amë dhe do t’i shpërndante në mënyrë ilegale në Shkup e rrethina, nëpër ato shtëpi të sigurta ku fëmijët mezi prisnin të mësonin gërmat e shqipes. Pa e ndërperë veprimtarinë e vet si Imam, ai gjente kohë të ngjitej deri në kullën më të largët, qoftë edhe për një shqiptar të vetëm, posaçërisht për t’i dhënë mësimin  e shqipes. ”Në vitin 1927 duke propaganduar mësime në gjuhën shqipe dhe duke shkruar dhe përshtatur mevludin në gjuhën shqipe përsëri dënohet me 101 vjet burg. Kjo lëndë iu kthye përsëri për shqyrtim në gjyq, ku me ndihmën e trembëdhjetë avokatëve i hiqet dënimi dhe lirohet si i pafajshëm”. (J. Krosi”Qemal Skënderi dhe NDSH-ja në Dërven të Shkupit” Shkup 2002 , faqe 61 ).

Një tjetër kontribut i çmuar i Mulla Xhemshidit, në këtë periudhë është padyshim përpejkja e vazhdueshme për të mos i lënë bashkëkombasit e vet të largoheshin nga trojet e të parëvet. Jo vetëm në Rashçe, por deri në tetovë e gostivar, Mulla Xhemshidi së bashku me fjalën e Zotit, predikonte paqe dhe bashkim të shqiptarëve, jepte kurajo për ato familje që kishin viktima të dhunës serbe, madje nuk mungonte të mblidhte edhe ndihma për të vobegtit. Së bashku edhe me imamë të tjerë të Shkupit, Xhemshidi gjente shpesh herë mënyra për t’u takuar me konsullin shqiptar në këtë qytet duke  e bërë me dije atë, për çdo masë ekstreme, dënim apo vrasje e pafajshme që pushtuesi serb kurdiste ndaj atdhetarëve shqiptarë. Kanë qenë pikërisht mendjet e këtyre atdhetarëve të Shkupit, të cilët nëpërmjet konsullit shqiptar aty, e njihnin monarkinë shqiptare me rrugët e qëllimshme të dinastisë serbe të Karagjorgjeviqëve për të përzënë shqiptarët etnikë dhe për të vendosur në ato troje kolonë serbo-malazez. Nisur pikërisht nga kërkesat e atyre burrave por edhe prej detyrave atdhetare të përcaktuara me ligj, shteti amë i atyre viteve i drejtohej Lidhjes së Kombeve me një protestë të gjatë ku pos të tjerave shkruhej tekstualisht ;””Zbatimi i reformës agrare nga qeveria jugosllave, në territoret e banuara prej shqiptarëve. . . synon ndërprejen me çdo çmim të vazhdimësisë mijëvjeçare që egziston nga pikpamja etnike që nga bregu i Adriatiku deri në lumin Morava dhe gjatë Vardarit, duke krijuar përreth kufijve shqiptarë një zinxhir fshatrash serbe, për të lehtësuar kështu sllavizimin e popullsisë shqiptare”. (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. Fondi 251, dosja 413, fl. 62 ).

Por edhe këto përpjekje të Mulla Xhemshidit, bien në sy të autoriteteve policore të Shkupit. Këta e ndjekin hap pas hapi dhe kanë qenë miqtë e Mulla Xhemshidit, të cilët ngase duan ta ndihmojnë e ftojnë në fshatrat e tyre në Bllacë, Satapetkë, Zhelinë e Bojanë të punojë njëherësh edhe si hoxhë edhe si mësues. Në këtë mënyrë ai largohet disi rrezikut pasi në shtëpitë e këtyre fshatrave shoqërohej kurdoherë jo vetëm nga bujaria por edhe nga miqësia e sigurtë. Në disa raste, veçanërisht në fshatin Ballacë, rrezikun e morën mbi vete 4-5 bura, të cilët nuk e lejuan Mulla Xhemshidin të paraqitej në stacionin policor në Shkup dhe gjetën mënyrën për t’i bërë për vete policët sllavomaqedonas. Në këtë mënyrë, deri në fillim të viteve 40, të shekullit që lamë pas, Mulla Xhemshidi kinse ushtronte profesionin e mësuesit të fesë, ishte shndruar në zëdhënës të aspiratave të popullit shqiptar në Maqedoninë shqiptare për liri bashkim e prosperiten.

Me vënien në funksion të Komisaritatit Civil për Tokat e lirueme në Kosovë e Maqedonin shqiptare ndodhi një përmbysje epokale në rrafsh të arësimit kombëtar. Mijëra nxënës shqiptarë që deri asaj kohe nuk dinin si të shkruanin gjuhën  e nënës së tyre, ngarendën nëpër shkollat shqipe që çeleshin dita, ditës dhe me një entuziazëm të paparë, duke kënduar hymnin tonë kombëtar duke shfletuar pa u friguar tekstet në gjuhë amtare, nisën nga beteja e madhe për përvetsimin  e dijeve. Në këto momente, Mulla Xhemshidi me ndihmën edhe të administratës shqiptare të Rashçes, ringritën shkollën e fshatit duke qenë i vetëm edhe në rol të mësuesit dhe në rol inspektorit. Shumë shpejt fëmijët e Rashçes mbushën bangat duke u grumbulluar plot dashuri rreth mësuesit të tyre, Mulla Xhemshidi. Me urdhër të Ministrisë së Arësimit Shqiptar, në janarin e vitit 1944, shkolla “Drita” e fshatit Rashçe mbledh në gjirin e saj fëmijët e fshatit Kopanicë. Meqenëse numri i nxënëse arrinte afërsisht 200 vetë, Ministria e Arësmit dërgoi aty edhe dy mësues të tjerë. Gjatë kësaj periudhe Mulla Xhemshidi njihet së afërmi me Mahmut Dumanin prej Elbasani, në cilësinë e inspektorit të arësimit në Shkup. Ky ashtu si dhjetra mësues të tjerë të shtetit amë, pat lënë vendlindjen për të dhënë kontributin e vet në vise të Maqedonisë shqiptare. Të dy së bashku ata kanë takuar më pas Azem Moranën dhe kanë kryer betimin mbi kuran e flamur se do të luftojnë deri në vdekje për idealet e Shqipërisë Etnike. Në fillim të vitit 1945, u pa qartë se premtimet sllavomaqedonase për barazi dhe vëllezëri s’ishin tjetër pos përalla komuniste. Udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave, në të vërtetë e shihte se pakënaqësia e shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në vise të Maqedonisë shqiptare, po rritej së tepërmi. Por edhe këtë rast Beogradi e shfrytëzoi në favor të elaborateve të tij famkeqe. Kështu propaganda sllavomaqedonase e asaj periudhe filloi të trumbetoj rrezikun e shpërthimit të një kryengritjeje të madhe në krejt trevat shqiptare. Me këtë parullë Beogradi donte të bindëte opinionin jugosllav për qëndrimin “reaksionar” të shqiptarëve, duke dashur të justifikojë në këtë mënyrë praninë e reparteve të shumta jugosllave në këto treva si dhe forcimin aty të pushtetit ushtarako- policor. Mulla Xhemshidi, intuitiv duke paraparë rrezikun shfarosës që trokiste në dyert e Maqedonisë shqiptare, nuk e ndau askurrë profesionin e nderuar të mësuesit me atë të organizatorit të lëvizjes dhe rezistencës shqiptare. Me këmbënguljen e tij, në Komitetin Qendror të NDSH-së, në Shkup, u vendos që në formimin e “Treshit” të merrej në mënyrë të veçantë parasysh tradita e familjeve. Kjo vlente shumë pasi rreziku ishte tejet i madh. Gjithashtu po me porosi të Mulla Xhemshidit shumë porosi të “Komitetit Epror” duhej të përcilleshin nëpër degët apo nëndegë të ONDSH-së me gojë, pasi çdo letër e shkruar përbënte një provë dhe pas çdo prove të zbuluar nga OZNA, ishin burgjet, internimet dhe deri pushkatimet. Njëherazi gjatë kësaj periudhe Mulla Xhemshidi, duke punuar për çeljen  e shkollave shqipe në Kopanicë, Llaskarcë, Bojanë etj, nuk mungoi të formonte në këto fshatra nënkomitetet e ONDSH-së. Edhe këtu, ai u mundua me çdo mënyrë dhe mjet që nënkomitetet në fjalë të vepronin në terren, të guxonin të kryenin detyra tejet të vështira, në emër të atyre idealeve që përfaqsonin.

Në mesin e vitit 1946 siç dihet shumë prej veprimtarëve të shquar të ONDSH-së u arrestuan prej formacioneve ushtarake të OZNËS jugosllave. Historiografia shqiptare disponon tani një tog dokumentesh që lidhen me gjykimet e këtyre atdhetarëve, të cilët muarën masa tejet të rënda nga regjimi sllavomaqedonas. Në të vërtetë veçanërisht në gjykimet që iu bënë Qemal Skënderit dhe Mahmut Dumanit, policia e fshehtë e Shkupit hetoi shumë rreth veprimtarisë së Mulla Xhemshidit. Por të dy këta burra duke mbajtur betimin e bërë dikur mbi ku’an e flamur, nuk pohuan asgjë lidhur me veprimtarinë ilegale të Mulla Xhemshidit. Pas fjalimeve të mbajtura në Rashçe, autoritete e larta të partisë komuniste të Shkupit e dënojnë atdhetarin me 1 vjet burg. Por edhe kësaj radhe, falë dashamirësve të vet, Mulla Xhemshidi mundi të dalë shpejt për të shkuar pranë familjes. Veçse kësaj radhe dënimi me burg, regjimi i urryer komunist i Shkupit ia transfomoi në punë të detyruar si mësues, pa pagesë. Mulla Xhemshidi vazhdoi të punojë edhe kësaj radhe, ndonëse prindërit e nxënësve nuk e lanë askurrë jashtë kujdesit të tyre. Ata mblidhnin ndihma dhe në mënyrë të fshehtë ia dërgonin në shtëpi mësuesit të tyre të nderuar të gjuhës atdhetare.

Në vitet 1955-1956, pasi kishte kaluar nëpër kalvarin e egër të regjimit të Shkupit, Mulla Xhemshidi bën kërkesë që të afrohet si mësues pranë familjes së vet, pasi mosha bënte të veten dhe ai duhej të ndjente ngrohtësinë familjare. Me cinizmin e skajshëm që e karakterizonte Ministria për Arësim e Maqedonisë e dërgon Mullain në Rahoviq, në skajin më të largët të Dërvenit. I shtyrë nga hallet, atdhetari dhe udhëheqësi i shquar i rezistencës ilegale shqiptare në Shkup e rrethina, detyrohet sërisht të marë udhët e largëta. Më pas në vitet e pensionit ai do të merret me përkthimet në shqip të lutjeve fetare, madje i këndonte shpesh këto në shtëpitë e Rashçes. Kështu derisa mbylli sytë në vitin 1993, me imazhin e gjallë të viseve të bashkuara shqiptare, për Shqipërinë Etnike.

BERN-ZVICËR

Comments

comments