Xhevat Limani me ‘Skënderbeun udhëton drejtë Evropës

Mehmet Latifi/ILIRIA NEWS AGENCY -INA

Projekti teatror “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, shkruar dhe realizuar nga Xhevat Limani, që trajton aspektin psikologjik të qasjes oratorike të kryeheroit kombëtar, përballë strategjisë luftarake të pushtuesit, Perandoris osmane. Në strukturat e dramës defilojnë protagonist dhe antagonistë, heronjë dhe tradhëtarë, mercenarë dhe atdhetarë. Autori me një fragmentaritet kronologjik paraqet ngjarjet më vendimtare të jetës dhe veprës së heroit të shekullit të XV-të që luftonte për krijimin e shtetit të Arbërit. Lufta e Skënderbeut mori karakter evropjan, pasi heroi ynë me ushtrinë dhe popullin e tij të rraskapitur, për 25 vite rresht iu kundërvu ushtrisë së Imperatorisë e cila ishte me dhjetra herë më e madhe në numër dhe natyrisht me armatime më të rënda dhe të sofistikuara. Mirëpo strategjia e Skënderbeut, sulmet e shpejta me tërheqje, krijonin huti e tollovi mes hordhive barbare dhe shpesh herë dilte fitues i betejave. Jorastësisht Evropa athere e shihte si shpëtimtarin e vetë. Ndërsa sot kryeheroi nderohet jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga shumë popuj të Evropës.
Pikërisht, mu për ate që Skënderbeu mori karakterin europian, ky projekt-kjo shfaqe do të mare udhë në turneun nëpër Europë, për ta prezantuar “live” shpëtimtarin e dikurshëm të Europës.
Vepra dhe shfaqja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, sipas idesë së aktorit e regjisorit Xhevat Limani, autor teksti të poemës së shkëlqyer dramatike, që mban emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shkëlqeu me gjithë shkëlqimin e madhështinë e tij.
Xhevat Limani, në rolin e “Skënderbeut”, shpalos jo vetëm pjesë nga strategjia dhe porosia e shenjtë e Skenderbeut, që “Shqipëria të jetë Kryezonjë”, por shpalos edhe një gamë të madhe të afiniteteve të tija krijuese dhe interpretuese. Me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër shqipe e skenike, me lëvizje të harmonizuara e të kontrolluara në mënyrë milimetrike, të sinkronizuara mirë me efektet tjera skenike e sidomos të muzikës që mbi të gjitha i jep shpirt tërë shfaqes, Xhevat Limani përvetëson publikun e pranishëm.
Pa dyshim se kjo shfaqe nuk do të ishte e kompletuar, pa personazhin e dytë të duetit të Kastriotëve; Skënderbeut dhe Donikës, me ç’rast në rolin e Donikës paraqitet, soprano Era Hoxha, e cila me zërin e sajë karakteristik, me interpretimin brilijant të arieve, me afinitetet e sjelljes në skenë, plotëson dialogun ndërmjët Skenderbeut dhe Donikës me ato arie operistike të komponuara enkas për këtë pjesë teatrore, nga kompozitori Aleksandër Peçi, bazuar në libreton- tekstin e dialogut në skenë.
Mrekullia do të ndodhë në sallat teatrore kudo që do të shfaqet kjo pjesë teatrore, sepse nuk është mrekulli vetëm figura e Skënderbeut, por është mrekullia e lojës së shkëlqyer e Xhevat Limanit dhe Era Hoxhës, që perceptojnë skenën në mënyrë milimetrike, me rekvizitat mirë të përdorura në momente të duhura, dhe me efektet tjera skenike.
Projekti “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është punuar si projekt i pavarur teatror enkas për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festës së Flamurit Kombëtar, nga Teatri Shqiptar në Amerikë, dhe plotësisht arsyeton ngjitjen në skenë të “Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, të autorit Xhevat Limani, i cili pos tekstit, e ka bërë edhe regjinë në bashkëpunim me Michael Tylo dhe paraqitet në rolin e Skënderbeut, ndërsa, soprano Era Hoxha, paraqitet në rolin e Donikës, me arie të kompozuara enkas për rolin e Donikës, nga kompozitori Aleksandër Peçi, me libreto të Xhevat Limanit, ndërsa muzikën për shfaqen si tërësi e ka bërë Elvis Peçi.
Mozaiku i elementeve të kësaj shfaqe përbëhet nga skenografia e Kristaq Kapedanit, kostumet e Fadil Sahitit-sipas idesë së regjisorit, përkrenaren dhe shpatën e Lenny Tarrantinos, me elemente koreografike të Altin Naskës, efektet e dritës sipas regjisorit. Të gjitha këto komponenta dhe elemente përbërëse të kësaj shfaqe, dëshmojnë se kjo pjesë është punuar me përkushtim të veçantë për një kohë të gjatë.
Personazhi i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, interpretohet nga aktori shqiptaro-amerikan Xhevat Limani.
Donikën e interpreton sopranoja Era Hoxha ndërsa karakteret tjerë paraqiten përmes sekuencave filmike dhe zërave.
Muzikën e ka komponuar Aleksander Peçi; kostumet: Enkel Dika; skenografinë : Kristaq Kapedani
Regjisor: Xhevat Limani & Michael Tylo-aktor dhe regjisor hollyvudian.
Teatri shqiptar në Amerikë pas monodramës “Unë Adem Jashari” që e paraqiti një vit më pare në Kroaci, tani prezentohet me projektin teatror ‘”GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU” , që është edhe fillimi i turneut të Teatrit Shqiptar në Amerikë, për të vazhduar në Austri, Zvicërr dhe Francë.
Shfaqja e parë është paraparë të realizohet në Zagreb – Kroaci, më 7 prill 2017, në ora 19h, për të vazhduar më pastaj në Vienë – Austri më 9 prill në ora 19h, në Lucern më 13 prill dhe në Gjenevë të Zvicrës më 14 prill, si dhe në Paris – Francë më 16 prill, në ora 19h. (ina-online.net)

Comments

comments