Zaev i nëpërkëmbi shpresat e shqiptarëve, ja pse?

?????????

NGA XHEVDET HAJREDINI/

Një pazar krejtësisht joekuivalent, doli më në fund marrëveshja e LSDM-së me BDI-në për koalicion në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave të banuara me shumicë shqiptare.

Vetëm për një thirrje që Ali Ahmeti ua bëri anëtarëve të BDI-së, që ta votojnë kandidatin e LSDM-së për kryetar të Shkupit, Zoran Zaevi i urdhëroi anëtarët e vet ti votojnë kandidatët e BDI-së në të gjithë komunat e banuara me shumicë shqiptare. Për ndihmën e Ali Ahmetit, Zaevi as që kishte nevojë kur dihet nga e kaluara se shqiptarët edhe pa thirrjen e askujt, kur ka pasur nevojë, kanë votuar për kandidatët e LSDM-së, si për kryetar shteti ashtu edhe për kryetar të qytetit të Shkupit, dhe kurrë nuk kanë votuar për kandidatët e VMRO-së. E arsyeshme dhe korrekte do të ishte nga ana e Zaevit që vetëm të bënte thirrje anëtarëve të vet të votojnë sipas bindjes së vet, kur dihet se kandidatë në zgjedhje kishin edhe partitë tjera shqiptare, poashtu anëtare dhe mbështetëse të koalicionit qeveritar të tij.

Veçanërisht Ali Ahmeti nuk e meritoi këtë formë të mbështetjes, kur dihet se pikërisht ai ishte që para më pak se një viti, me një stil kërcënues, u përpoq Zaevit t’ia ndalojë thirrjen që shqiptarët të votojnë për partinë e tij. Në atë rast Ali Ahmeti, ende i trajtonte shqiptarët sikur janë dhentë e tij dhe ai është bariu që i ruan dikush mos t’ia merr. Por, për fat të Zaevit, një numër i madh i votuesve shqiptarë, pa lejen e Ali Ahmetit, votuan për LSDM-në, me çka u krijua kushti i parë dhe i domosdoshëm, që Zaevi ta vazhdojë betejën për rrëzimin definitiv të regjimit të Gruevskit, i cili i bënte përpjekjet e fundit, me ndihmën e deputetëve të përgjysmuar të BDI-së, të mbijetojë. Dihet poashtu se sa mund iu desh edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë ta bindin, ose, më mirë të thuhet, ta detyrojnë Ali Ahmetin të shkëputet nga Nikolla Gruevski dhe ti bashkohet Zoran Zaevit.

Gati dhjetë vjet, Ali Ahmeti ndejti në pushtet në koalicion me VMRO-në, pa realizuar asnjë kërkesë të shqiptarëve, duke e sjellë Maqedoninë në gjendje të shtetit të vetëm në Evropë, i cili ka arrit nga komisioni evropian të konsiderohet se është në gjendje më të keqe se para dhjetë vjetëve.

Nuk është e qartë ku qëndron shkaku që në këtë mënyrë të vrazhdë në fushatën parazgjedhore të ndërhyjë vet kryeministri,në cilësinë e kryetarit të partisë, i shoqëruar edhe me Lube Boshkovskin. Zaevi shkoi deri atje sa që në tubimin parazgjedhor qytetarëve të lagjes Reçicë e Vogël në Tetovë t’iu premtojë se ai vet do ta ndërtojë shkollën të cilën Teuta Arifi gjatë mandatit të kaluar nuk e ka ndërtuar dhe ngeli e pa qartë se çka do ngjajë me këtë shkollë, në qoftë se kandidatja e BDI-së nuk do fitonte. Ngjashëm veproi kryeministri, duke u paraqit në gjithë tubimet tjera dhe duke theksuar gjithmonë se qeveria dhe vet ai do t’ua japin mbështetjen e duhur të gjithë kryetarëve të komunave të kësaj partie.

Edhe përfaqësuesja e OSBE-së Odri Glover e pa të arsyeshme në raportin e vet të bëj vërejtje se Zoran Zaevi në fushatën për ti mbështet kandidatët e BDI-së, premtoi se komunat ku do fitoje BDI-ja, do kenë ndihmë nga qeveria e tij që premtimet e tyre të plotësohen.

Në këtë mënyrë Zaevi e bëri të mundur fitoren e BDI-së në Tetovë, Strugë dhe Çair. Megjithatë, shuma e votave me të cilat është arrit fitorja në këto komuna, është shumë më e vogël se sa numri i votuesve shqiptarë të cilët BDI-ja i mban në listën e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit dhe me para të buxhetit vite me radhë, pa kurrfarë baze ligjore, i paguan duke e shkel në mënyrë të vrazhdë dinjitetin dhe integritetin moral të tyre dhe nuk i sistematizon në administratën shtetërore ashtu siç bënte VMRO-ja me anëtarët e vet. Pa këto vota as votat e LSDM-së dhe Lube Boshkovskit nuk do të ishin të mjaftueshme për fitoren e kandidatëve të BDI-së.

Me plot të drejtë avokati i popullit këtë gjendje e konsideron edhe si shkelje të të drejtave elementare qytetare, duke ua bë të pamundur edhe zhvillimin e tyre profesional.

Sot ka nevojë shqiptarëve, veçanërisht gjeneratave më të reja t’iu rikujtohet se në pranverë të 2001-shit, Lube Boshkovski ftohej në Shipkovicë që me konvoje të autobusave ti shpëtojë gratë dhe fëmijët e fshatrave të Sharrit mbi Tetovë nga rreziku që “kanosej” nga UÇK-ja. I njëjti Lube Boshkovski, me të cilin sot kandidatja për kryetare të Tetovës fotografohet në tubim parazgjedhor, edhe kur i likuidonte emigrantët pakistanez ,përpara i veshte me uniforma me UÇK-së. Kush ka mund të supozojë në atë kohë se me ndihmën e “Brat Lubes” shqiptarja do ti fitojë zgjedhjet për kryetar të komunës së Tetovës.

Gruevski vetëm me ligjin për amnesti të rasteve të Hagës e siguroi rehatinë e vet për tërë mandatin (“da bideme raat cel mandat”). Kështu e ndëgjuam nga një “bombë” të Zaevit kur i thërriste deputetët e VMRO-së për ta votuar këtë ligj. Mandej pa kurrfarë pengesash e realizoi programin e quajtur “Rilindja në 100 hapa”. Ngjashëm edhe Zaevi, duke ua siguruar fitoren kandidatëve të BDI-së, praktikisht siguron hapësirë, si VMRO-ja deri tash, pa kurrfarë pengese, ta realizojë programin e vet.

Zaevi, definitivisht, i nëpërkëmbi shpresat e shqiptarëve, me ndihmën e të cilëve dhe bashkë me një numër të madh intelektualësh dhe me kontributin e madh të mediave në gjuhën shqipe, në zgjedhjet parlamentare arriti t’i fitojë dyzet e nëntë deputetë dhe të vazhdojë ta realizojë misionin për rrëzimin e regjimit dhe ta çlirojë shtetin nga robërimi i udhëhequr nga VMRO-ja në bashkëpunim të ngushtë dhe besnik të BDI-së.

Comments

comments