Zaevi përse po vonon plotësimin e kabinetit qeveritar, taktizime pa fund

Zgjedhja e ministrit të ri të shëndetësisë dhe kompletimi i kabinetit qeveritar po zvarritet edhe më tej. Informatat jozyrtare flasin për ndasi të mëdha mes partnerëve të koalicionit për atë se cila parti do të udhëheqë me digasteret e boshatisura pas zgjedhjeve lokale. Nuk dihet ende nëse Aleanca për Shqiptarët do të mbajë Ministrinë e Shëndetësisë dhe as cili dikaster do t’i takojë nëse me shëndetësinë do të udhëheqë kuadër i LSDM-së. Kryeministri Zoran Zaev që më 15 nëntor pati paralajmëruar se deri në fund të asaj jave do të dihet emri i ministrit të ri, por ky afat është shkelur disa herë deri më tani, shkruan SHENJA.

Zoran Zaev, kryeministër (15.11.2017)

“Shpresojmë se deri në fund të kësaj jave do të mund të marrim vendim. Të gjitha opsionet janë të hapura, momentalisht as unë nuk e di se kush do të jetë emri, nga cila parti kush do të zgjidhet. Është shumë me rëndësi edhe vendimi personal, gjegjësisht për çfarë persona bëhet fjalë”

Në paraqitjen e tij të fundit Zaev tha se nuk do të ketë ndryshime të reja në Qeveri edhe përkundër shumë thashethemeve se LSDM pretendon të merr edhe drejtësinë. Zaev dy ditë më parë përsëri doli me një premtim të ri se Qeveria do të kompletohet brenda disa ditëve, por ende nuk ka asnjë përparim në këtë temë.

Zoran Zaev, kryeministër (03.12.2017)

“Po bisedohet për plotësimin e vendit të ministrit të shëndetësisë pas largimit të kryetarit të Gostivarit doktor.Arben Taravarit. Kjo pasi që gjatë ndarjes fillestare të resoreve, Shëndetësia iu dha Aleancës për shkak të doktor Arben Taravarit i cili ishte i pranueshëm për mjekët gjithandej Maqedonisë. Tani flasim vetëm për atë se si ta plotësojmë këtë vend. Nuk po bëjmë kombinime të reja. Edhe disa ditë do të publikojmë kornizën e plotë të Qeverisë”

Ndërkohë nëpër koloaret partiake dhe mediatike kanë qarkulluar disa kombinime rreth kompletimit të Qeverisë. Nëse Aleancës për Shqiptarët i merret ministria e shëndetësisë, atëherë kësaj partie do t’i takojë një dikaster tjetër me peshë të njëjtë. Më së shumti janë përmendur pozicionet e para në ministrinë e arsimit, transportit dhe lidhjeve si dhe  posti i zëvendëskryeministrit. Përveç ministrit të shëndetësisë Qeveria duhet të emërojë edhe zëvendës ministër për arsim dhe ministrin pa resor për investime të huaja.

Comments

comments