Zara, qyteti ilir ndër 15 qytetet më të vjetra në Europë

Zara, qyteti ilir ndër 15 qytetet më të vjetra në Europë

Mehmet Latifi- INA

Qyeteti me një histori dinamike dhe të bujshme, shpesh i rrënuar, plaçkitur, shkatërruar.  Portali “One Europe” e ka bërë publike hartën e 15 qyteteve më të vjetra europiane, e ndër ta në pozitën e 13 është qyteti ilir Zara. Në këtë hartë, figuron se Zara ekziston 1.000 vjet para Krishtit, ndërsa të dhënat janë nxjerrë nga enciklopedia “History of Europe”.

Zara është qytet i vjetër, i ndërtuar në qendër të Adriatikut dhe është përplot monumente historike e kulturore.  Mbi 3.000 vjet i vjetër, është qytet me një histori të bujshme e dinamike, shpesh  i rrënuar, plaçkitur, shkatërruar, por çdo herë nga gërmadhat është ngritur edhe më i fortë, më i bukur dhe më i begatë.

Në histori Zara për herë të parë paraqitet në shekullin e 4 para erës sonë, si vendbanim i fisit ilir Liburnët dhe përmendet emri Jadera, ndërsa gjatë rrugëtimit historik, ia ndërrojnë emrin në Idassa (greqisht burim), pastaj përsëri Jadera, Diadora, Zara (gjate sundimit të Venedikut dhe më vonë të Italisë e deri në ditët e sotme, ndërsa  në kroatisht tani është Zadar.

Pas vitit 59 para erës sonë, Zara bëhet  “municipij romake” (status apo shprehje që është përdorur në shtetin romak për qytetet e dorës së dytë, statusi i të cilëve ka qënë nën koloninë), ndërsa në vitin 48 para erës sonë, Zara bëhet koloni e qytetarëve romak. Nën sundimin romak, Zara merr karakterin e qytetit me rrjetë të rregulluar të rrugëve, me shesh të rregulluar, forumin dhe afër forumit  kapitele dhe tempulli. Në shekullin e 7, Zara do të bëhet qendër (kryeqendër) e tematit bizantin të Dalmacisë.

Në fillim të shekullit të 9, Zara përmendet si selia dhe qendra e ipeshkvit Donatit dhe udhëheqësit bizantin Paulusit. Në atë kohë, ngrihet në forumin romak kisha e “Shën Trinisë”-sot kisha e “Shën Donatit”, që mund të thuhet se është simbol i qytetit të Zarës. Popullimi i Zarës me kroat shënon në shekullin e 10. Nga ajo periudhë janë ruajtur themelet e kishës romanike “Shën Mëria”, “Shën Kershovani” dhe “Shën Stoshia”.

Në vitin 1.202, qyteti i Zarës digjet dhe pushtohet nga kryqzatat dhe Republika e Mletit-Republika e Venedikut  (italisht: Serenissima Repubblica di Venezia, në gjuhën venedikase: Repùblica de Venesia ose  Serenìsima Repùblica Vèneta), ishte pra ky shteti që kishte shtrirje në teritoret e Italisë së sotme, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Greqisë dhe Qipros, me kryeqendër Venedikun. Ky shtet ka ekzistuar nga shekulli  i 9 e deri në shekullin e 18 (saktësisht deri në vitin 1797). Pas pushtimit nga kryqzatat dhe Mletasit, fillon ndërtimi i kishave të para gotike në Dalmaci; “Shën Frani” dhe Shën Dominiku”, ndërsa nga thesari  i artit të asaj kohe mund të veçohet sarkofaku i argjendit i flakruar me ar i “Shën Shimunit” etj.

Pas venedikasve, pushtetin dhe sundimin e Zarës e marrin austriakët më 1797 dhe më vonë francezët nga viti 1806 e deri në vitin 1813. Sundimi i dytë i austriakëve ka zgjatur deri në vitin 1918, kur Zara edhe më tej e ka ruajtur statusin e kryeqytetit të Mbretërisë së Dalmacisë, mirëpo me Marrëveshjen e Rapallit (Rapalli, qytet afër Gjenovës, ku më 12 nëntor të vitit 1920 është nënshkruar Marrëveshja ndërmjet Mbretërisë Serbo-Kroato-Slloveni dhe Mbretërisë së Italisë), Zara i bashkangjitet Italisë, ku ka mbetur deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur edhe është bombarduar dhe granatuar nga forcat e shumta aleate, me ç’rast tërësisht është shkatërruar dhe si i tillë i rikthehet Kroacisë, në kuadër të Jugosllavisë.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kroacisë dhe agresionit serb ndaj Kroacisë, Zara dhe rrethina janë sulmuar në tetor të vitit 1991 me forca dhe armatim të paparë për të pushtuar ose për ta shkatërruar. Disa herë është granatuar në mënyrën më brutale, me ç’rast janë dëmtuar shumë monumente të kulturës dhe historisë.

Sot, qyteti i Zarës është monument i ruajtur i kohëra të ndryshme historike të kulturës, ku janë vënë kufijtë e pamjes urbane dhe të kaluarës së bujshme historike që ruhen me fanatizëm…

(ina-online.net)