Zjarret, 15 vatra në Shqipëri

Të paktën 15 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në mbarë vendin, 10 më pak se të mërkurën. Pavarësisht se vatra më e madhe e zjarrit, ajo në Krastë të Elbasanit, u vu në kontroll, përsëri në këtë qark vazhdojnë të jenë aktive 4 vatra të tjera.

Në Bashkinë e Librazhdit vazhdon të jetë aktiv zjarri në Kostenjë, që erdhi nga pyjet e Dibrës. Po ashtu, në pyjet e Dardhës ekziston një tjetër vatër zjarri. Në Prrenjas flakët kanë përfshirë pyjet e Rrajcës, ndërsa në Elbasan malin e Shushicës.

Punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe zjarrëfikësit e Librazhdit po përpiqen të vënë nën kontroll flakët në Librazhd e Përrenjas, ndërsa në Malin e Shushicës e vetmja mundësi është ndërhyrja nga ajri për shkak të lartësisë dhe terrenit të vështirë.

Ndërkohë, në malin e Dajtit, pas ndërhyrjes së helikopterit vatra e zjarrit është më pak aktive, ndërsa puna e efektivëve është fokusuar për të mbajtur zonën nën kontroll nga vatrat e fshehura.

Një zjarr i fuqishëm është shfaqur edhe në Ndroq. Ndërsa në Dukat, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, situata është rënduar pasi zjarri favorizohej dhe nga era e fortë.

Problem mbeten edhe vatrat e zjarrit në fshatin Sllatinë të Dibrës, ku forcat e armatosura kanë shtuar angazhimin në këtë situatë alarmante.

Rreth 200 efektivë të Shkollës së Trupës në  Bunavivë dhe të Batalionit të Mbeshtetjes Rajonale kanë zbarkuar në terren në ndihmë të zjarfikësve dhe oficerëve të Pyjores.

Comments

comments