Zoran Zaev refuzon Edi Ramën

Në Maqedoni nuk janë njësoj entuziastë për Rrugën e Arbërit, projekti që u prezantua këtë javë. Kërkesa e Edi Ramës që rruga e Arbërit të vazhdojë si autostradë në anën tjetër të kufirit nuk gjykohet me leverdi ekonomike.

Zoran Zaev e komentoi shkurt propozimin e Ramës.

“Do të shohim çfarë është më ekonomike, më e leverdishme dhe më logjike. Këtë do ta bëjmë…”- ka thënë kryeministri Zoran Zaev për Alsat.

Ekspertët e këshillojnë Zaev që të ndërtojë akset Gostivar – Kërçovë dhe Kërçovë – Ohër pasi pikërisht këto autostrada do të mundësojnë lëvizje të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve.

Profesori universitar, Vullnet Palloshi në një prononcim për Alsat M konsideron se dyja vendet nuk do të kenë dobi të mëdha me këtë aks. Në ditë nëpër këtë rrugë kalojnë më pak se 5000 automjete. Palloshi propozon që fokusi të vendoset në lidhjen moderne me Shqipërinë përmes Strugës.

Nga ndërmarrja shtetërore për rrugët, në Maqedoni kanë konfirmuar se nuk është në plan që aksi drejt Dibrës të bëhet autostradë.

Drejtori Zoran Kitanov tha për Alsat se të gjitha analizat e deritanishme nuk kanë treguar arsyeshmëri ekonomike.

“Për momentin po rehabilitohet rruga ekzistuese nga Dibra deri në kalimin kufitar Bllato. Në muajin shtator e firmosëm marrëveshjen dhe është zgjedhur edhe realizuesi i punimeve në këtë rrugë”, bëjnë me dije nga Ndërmarrja Shtetërore e Rrugëve.

Në BDI nuk kanë kurrfarë komenti lidhur me kërkesën e kryeministrit shqiptar Edi rama që edhe Maqedonia të punojë në ndërtimin e Rrugës së Arbrit, mirëpo qeveritë në të cilat merr pjesë kjo parti, vazhdimisht janë pengesë për lidhjen e shqiptarëve të Ballkanit me infrastrukturë rrugore. I njëjtë është rasti edhe me rrugën Shkup-Bllacë, që duhet të lidhë Shkupin me Prishtinën. Autostrada nga Prishtina deri në Elez Han do të përfundojë në vitin 2018, kurse autostrada Shkup-Bllacë mbetet vetëm një ëndërr edhe pse gjatë kohë është premtuar nga funksionarët e BDI-së gjatë fushatave parazgjedhore./lapsi.al

Comments

comments