Zyrtare: Arrihet marrëveshja parimore për koalicion qeverisës APN – LRPDSH

0
4

Alternativa për Ndryshim në Preshevë ka dërguar një letër kërkesë me të cilën ka kërkuar nga LRPDSH për një koalicion parimor paszgjedhor për qeverisjen e ardhshme në komunën e Preshevës.

Më poshtë ju publikojmë në tërësi letrat e hapura të dërguara nga APN dhe përgjigjen e LRPDSH.

Pas zgjedhjeve të 24 dhjetorit 2017, edhe pse ky proces zgjedhor ende nuk është kryer përfundimisht,tashmë është e qartë se Alternativa për Ndryshim ka fituar numrin më të madh të votave në Komunën e Preshevës.

Marrëveshje primore për bashkqeverisje ndërmjet Alterantivës për Ndryshim dhe Lëvizjes për Reforma PDSH

I nderuari Kryetar i Lëvizjes për Reforma PDSH – z.Sami Salihu,
Fillimisht, ju urojmë për suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale, fituat nje numër të konsiderueshëm të votave, rezultat ky që është një tregues i qartë për një fillim të mbarë si subjekt i ri politik që jeni.
Të përkushtuar ndaj interesave kombëtare të shqipëtarëve të Luginës së Preshevës, si dhe ndaj të drejtave dhe nevojave qytetare, ku pas këtyre zgjedhjeve menjëherë duhet të punohet me një intenzitet shumë të lartë që të kompenzohet koha e humbur përshkak krizës politike që patëm, Alternativa për Ndryshim, si subjekt politik më i madh në Komunën e Preshevës i ofron Lëvizjes për Reforma PDSH marrëveshje politike për qeverisjen e komunës sonë gjatë këtyre katër viteve të ardhshme.
Duke ndjekur dhe analizuar nga afër fushatën parazgjedhore që patët, dhe programin politik që i ofruat qytetarëve të Komunës së Preshevës, jemi më se të bindur se jeni subjekti i duhur politik me të cilin Alternativa për Ndryshim mundet me sukses të bashkqeverisë pushtetin lokal,duke marrë parasysh programet politike të dy subjekteve tona që janë të përafërta njëra me tjetrën, si dhe duke ditur që ofroni edhe ju z. Salihu një mentalitet të ri politik por edhe subjekti juaj në përgjithësi.
Kjo marrëveshje parimore duhet të jetë e bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, si: transparenca, llogaridhënia dhe integriteti. Zgjidhja e satusit politko-juridik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës duhet të jetë imperativ i subjekteve politike të lartpërmendura. Gjithashtu, si prioritete të larta do të jenë rritja e efikasitetit të punës së Këshillit Kombëtar Shqipëtar në fushat që parashihen me ligj, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës .
Pas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale, propozojm që të formohen grupe punuese të subjekteve tona politike për të hartuar planin dhe programin e detajizuar zhvillimorë, si dhe organizimin e resorëve përkatëse për koalicionin qeverisës në katër vitet e ardhshme.
Ftojmë Kryesinë e Lëvizjes për Reforma PDSH që të shqyrtoj me seriozitetin më të lartë ofertën politike të Alternativës për Ndryshim.

Ndryshimi po ndodh, Presheva ka shpresë të re.
Në pritje të përgjigjes suaj,

Shqipërim Arifi,
Kryetar i APN-së

LETRA E DËRGUAR NGA z. Sami Salihu drejtuar APN-së

Drejtuar: Z. Shqiprim Arifi
Në përgjigje të ftesës për marrëveshje, ardhur datë 08.01.2018 me nr. Prot 004/18

I nderuar Z.Shqiprim Arifi,
Përpara se t’ju bëjme me dije qëndrimin tonë si LRPDSH, në lidhje me propozimin tuaj për një marrëveshje në parim, do donim t’ju urojmë përzemërsisht për rezultatin pozitiv të arritur në zgjedhjet e 24 dhjetorit. Edhe pse ende pritet të përfundojë ky proçes zgjedhor, është e qartë se qeverisja do të realizohet përmes koalicionit.
Populli me voten e tij na dha të gjithë ne politikanëve një mesazh të qartë se pret prej nesh mentalitet të ri qeverisës dhe një qasje të re ndaj problemeve themelore të Luginës. 
Ndaj, ne si LRPDSH, jemi të vetëdijshëm se në keto momente kemi mbi supe peshën e një përgjegjësie shumë të madhe, pasi vendimi që po marim do të percaktoje profilin e koalicionit qeverisës, dhe si i tillë nuk është pragmatist dhe nuk ka në bazë përfitimim për interesat tona si individë apo parti. Nuk bëhet fjalë për dëshirë për pushtet por për marrje mbi vete të përgjegjësisë për ti ofruar popullit një qeverisje më të mire.
Pasi kemi peshuar gjatë çdo mundësi për bashkëpunim, në reflektim të plotë të rezultateve zgjedhore, pa dashur të behemi faktor por me deshirën për të qenë aktive në qeverisje, kemi lexuar drejt votën e popullit dhe në këtë këndvështrim jemi parimisht të gatshëm të hyjmë në një marrveshje ne parim me APN-në.
Vlerësojmë se mundemi të bashkëpunojmë me sukses të plotë në dobi të stabilitetit të munguar, përsa kohë kemi të palëkundur besimin në një rrugë të përbashkët dhe pa devijime nga programet e votuara, drejt objektivit madhor të shtruar për zgjidhje.
Duke u shprehur pozitiv ndaj ftesës së APN për marveshje në parim, duam të theksojmë edhe një here se jemi të vendosur në angazhimin tone nga çdo pozitë, për lufte pa kompromis me askënd për të ringritur dinjitetin tonë kombetar, luftë pa kushte me korrupsionin dhe përpjekje të ndershme që me profesionalizëm e përkushtim ti japim çdo preshevari një jetë më të mirë e më të denjë.
Duke falenderuar popullin se pari per besimin që i dha LRPDSH-së, dhe juve si APN per vleresimin, ju urojmë suksese të metejshme në permbushjen e angazhimeve dhe Luginës zhvillim e stabilitet afatgjatë.

Për Kryesine e LRPDSH-së
Sami Salihu

Comments

comments