​Zgjedhjet presidenciale të Portugalisë: De Sousa fiton në raundin e parë

Presidenti i Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa, një konservator i moderuar, fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës për një mandat të dytë, ndërsa vendi është në karantinë për shkak të pandemisë COVID-19, tregojnë sondazhet preliminare pas zgjedhjeve.

Ish-deputetja socialiste Ana Gomes renditet e dyta, përpara kandidatit të ekstremit të djathtë Andrea Ventura.

Presidenti aktual, një ish-profesor 72-vjeçar i drejtësisë, i cili u bë i famshëm në televizion si një komentues politik, mori 55.5 deri në 62 për qind të votave, sipas sondazheve.

Ana Gomes mori 12.2 deri 17.1 për qind, pasuar nga Andrea Ventura, në vendin e tretë me 9 deri në 14.1 për qind. Themeluesi i partisë Chega (Mjaft më) nuk do të arrijë qëllimin e vendosur për të fituar vendin e dytë, por rezultati i tij ende konfirmon, me sa duket, përhapjen e populizmit të krahut të djathtë në një vend që deri vonë ishte një përjashtim në shkallë globale.

Rezultatet zyrtare do të dihen sonte më vonë, pasi të dhënat për fletëvotimet e numëruara do të mbërrijnë.

Pjesëmarrja në votime ishte midis 50 dhe 60 për qind, tregojnë sondazhet e daljes, dhe një rekord, 53.5 për qind, u regjistrua në vitin 2011 kur paraardhësi Rebelo de Souse u zgjodh.

Analistët kishin frikë nga një pjesëmarrje më e lartë prej më shumë se 70 për qind, për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit në Portugali, 10 milionë banorët e së cilës kanë qenë në karantinën e dytë të përgjithshme për dhjetë ditë.

Të dhënat e marra nga AFP tregojnë se Portugalia ka pasur numrin më të lartë të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19 në botë në dy javët e fundit, në lidhje me popullsinë, dhe paraprihej vetëm nga enklava britanike e Gjibraltarit.