Dhjetëra infermiere dhe personel teknik të Spitalit Klinik të Tetovës kanë dalë sot në protestë për të kërkuar zgjidhje për statusin e tyre të pasigurt dhe për mungesën e rrogave që tashmë kanë kaluar tre muaj.
Prej më shumë se një dekade, këta punonjës shëndetësorë punojnë me kontrata të përkohshme apo pa asnjë dokument ligjor që të garantojë vendin e punës dhe pagën e tyre mujore.
“Gjashtë vite jemi me kontratë në vepër. Për tre muaj hyjmë tash që edhe s’kemi rroga. Na është premtuar po asgjë prej premtimit,” theksoi një prej infermiereve të revoltuara gjatë protestës.
Më shumë se 100 infermierë dhe staf teknik po përballen me mungesë të rrogave dhe sigurisë në punë, një realitet që është bërë i padurueshëm. Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta çdo ditë, deri në momentin kur statusi i tyre të zgjidhet përfundimisht.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Agim Berisha theksoi se vendimmarrja nuk varet nga spitali, por nga ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Financave.
“E drejta e tyre për protestë është e drejtë demokratike, por si grup është dashur të më njoftojnë. Unë pres brenda muajit të ardhshëm të zgjidhet kjo çështje,” tha Berisha.
Ndërkohë pritet ndonjë vendim pas emërimit të ministrit të ri të shëndetësisë, pas dorëheqjes së ministrit Arben Taravari.(INA)