150 studentë të huaj të interesuar për ta mësuar gjuhën shqipe

Në edicionin e 40-të të Seminarit të Gjuhës po marrin pjesë më shumë se 150 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës dhe albanologët më të shquar shqiptarë të cilët do të mbajnë ligjërata.

Në pjesën e dytë të seminarit do të ketë referime dhe sesione shkencore.

E këtë vit është shtuar dukshëm interesimi i studentëve të huaj për gjuhën shqipe.

Kristian Stratev është njëri nga pjesëmarrësit e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po mbahet në Prishtinë.

Ai studion në Universitetin e Sofjes në Bullgari, por ka shprehur dëshirën që ta mësojë edhe gjuhën shqipe në kurset që po ofrohen në kuadër të seminarit.

“Gjuha shqipe është shumë interesante dhe është gjuha më e vjetër në Ballkan. Sot kam mësuar një tekst shumë interesant ku kemi biseduar për familjen dhe për shtëpinë”, është shprehur ai në gjuhën shqipe për RTK-në.

Profesorët që po i mbajnë këto kurse, thonë se këtë vit vërehet interesim më i madh nga studentët e huaj për ta mësuar gjuhën shqipe.

“Ata vijnë me dëshirë. Të paktën fillestarët kanë mësuar diçka nga vendet ku vijnë. Shumicës prej tyre në studimet që ndjekin ju nevojitet edhe gjuha shqipe dhe interesi i tyre është edhe më i shtuar sepse është në ndihmë të studimeve që ata ndjekin”, tha profesoresha Irda Dervishi Nesimi.

Në kuadër të seminarit ndërkombëtar të gjuhës sot është mbajtur ligjërata me temën “Ideologjia e letërsisë: rasti i Zef Pllumbit”.

Kujtim Shala, profesor në Universitetin e Prishtinës tha se ideologjia u bë objekt diskursesh e ideologjish, në traditën e ideologjizuar.

“Ideologjia dhe raporti i saj me letërsinë krijojnë një objekt të përshtatshëm për pikëpamje të majta dhe për kritikën letrare marksiste. Në pikëpamje të tilla ideologjia kryesisht konceptohet si raport në mes të dy domeneve; njërit që shpreh ideologji, pra të letërsisë dhe tjetrit që ka statusin e burimit të ideologjisë,si p.sh. shoqëria. Por në këtë mënyrë vërejmë se huqet ontologjia e letërsisë, natyra dhe raportet e saj me jetën dhe idetë”, ka thënë Shala.

Gjatë ditës së sotme janë mbajtur edhe pesë ligjërata të tjera të cilat kanë trajtuar të veçantat e gjuhës shqipe.

Prezantime të tilla që janë në interes të studiuesve të gjuhës shqipe do të ketë deri më 26 gusht.