17 vite nga ‘Tradhëtia e madhe’ ku humbi jetën Komandant Teli

0

Për ekzekutimin e Komandant Telit dhe pesë ushtarëve të tij, menjëherë pas ngjarjes u akuzuan bashkëpunëtorë dhe agjentë të shërbimit sekret shqiptar(SHISH). Masakra e Gazi Babës, e njohur me emrin “tradhëtia e madhe” vazhdon të jetë një enigmë që nuk është zbardhur as sot, afro gjashtë vjetë nga mesnata e 7 gushtit 2001, kur forcat speciale maqedone të famëkeqit Lube Boshkovski, masakruan Lefter Koxhajn, Pajtim Rocin, Ndriçim Koxhajn, Adem Hasanin, Arben Bajramin dhe Abaz Beqirin.

Komandant Teli kishte qenë tmerri i ushtrisë maqedone në betejat më të ashpra me trupat e UÇK-së, por ai ra në duart e tyre tre ditë pasi ishte firmosur armëpushimi i 4 gushtit dhe 6 ditë përpara se të firmosej marrëveshja e Ohrit, e cila do të ishte themeli i shtetit të ardhshëm të Maqedonisë.

Autoritetet maqedone e cilësuan vrasjen e tij si suksesin më të madh të gjithë luftës me guerriljet shqiptare, madje nuk ngurruan ta etiketonin si një terrorist që kishte hyrë në Shkup për të sabotuar firmosjen e marrëveshjes së Ohrit një javë më pas.

Dyshimi
Mënyra se si ndodhi ngjarja dhe kapja krejtësisht në befasi e komandantit të njësisë elitë të UÇK-së dhe truprojave të tij shpjegohet me faktin se dikush i mirëinformuar për lëvizjen e Telit, e kishte shitur atë të trupat speciale maqedone. Në të vërtetë as pas dhjetë vitesh nuk është e qartë pse u tradhëtua Komandant Teli ? Versionet pas ngjarjes ishin disa.

Një prej tyre kishte të bënte me faktin se Koxhaj duke qenë një nga komandantët më të vendosur në luftimet në terren, kundërshtonte me forcë firmosjen e marrëveshjes së Ohrit me shtetin maqedonas, ujdi kjo e arritur me ndërhyrjen e shërbimeve sekrete amerikane. Në të vërtetë 6 ditë pas vrasjes së tij, përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë e firmosën marrëveshjen dhe ranë dakort për çarmatimin e trupave të UÇK-së në kuadër të operacionit të NATO-s me emrin e koduar “Korrje të domosdoshme”.

Telashi
Versioni tjetër ka të bëjë me faktin se, Koxhaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda në Greqi e Shqipëri. Emri i tij ishte në listën e kuqe të personave më të kërkuar nga Interpoli, në 178 shtete të botës. Pasi kishte marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës, në konfliktin e Luginës në Preshevës dhe në konfliktin shqiptaro-maqedonas, për Koxhajn nuk kishte alternativë tjetër veçse të kthehej në vendlindjen e tij.

Kthimi i tij në atdhe, me statusin e një heroi dhe një komandanti me reputacion të padiskutueshëm do të sillte kokëçarje të mëdha për autoritetet shqiptare ndërkohë që ai kishte mbi supe dy burgime të përjetshme. Për ti paraprirë dhe një telashi të tillë, u hodh dyshimi se Koxhaj dhe ushtarët e tij u shitën nga një kombinim i shërbimit sekret shqiptar. Nga dyshimi për tradhëtinë e Gazi Babës nuk janë përjashtuar as disa prej komandantëve në terren të UÇK-së. Pavarsisht akuzave të ngritura deri tani, asnjë prej tyre nuk është provuar dhe askush si andej kufirit ashtu dhe këtej kufirit nuk është i interesuar ta zbardhë “tradhëtinë e madhe të Gazi Babës”, ndodhur mesnatën e 7 gushtit 2001.

Në Youtube moti sillet një video për komandantin në fjalë, përpunuar nga Studio Traboini. /portalb

Komentet

komentet