17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë i pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe është varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,

– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,

– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),

– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),

– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,

– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986

– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,

– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,

– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,

– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës i është dhënë dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova është shpallur Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.

– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës i është ndarë Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

– Në vitin 1999, Dr. Rugova ka marrë Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa është shpallur qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.

– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova ka marrë çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova është nderuar me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.

– Është nderuar gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. – Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova është shpallur Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.