Sot bëhen 35 vjet nga një nga ngjarjet më vendimtare të historisë së re të Kosovës – shpallja e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 nga delegatët shqiptarë të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë ditë historike, në kushte represioni, rrethimi ushtarak dhe pasigurie të thellë, 111 delegatë guximtarë miratuan një dokument që do të shënonte pikënisjen e rrugëtimit të gjatë drejt shtetësisë së Kosovës.
Deklarata e 2 Korrikut e shpalli Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, duke kërkuar trajtim të njëjtë me republikat e tjera të atëhershme. Akti u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit të Kosovës, i rrethuar nga forca të shumta policore dhe ushtarake, çka e bën këtë akt edhe më të jashtëzakonshëm dhe simbolik për rezistencën institucionale shqiptare.
Ky veprim shënoi kthesën historike për pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe përgatiti terrenin për shpalljen e Republikës së Kosovës më 7 shtator të po atij viti, si dhe për gjithë lëvizjen paqësore dhe më pas çlirimtare që do ta çonte Kosovën drejt shtetit të saj të pavarur.
2 Korriku mbetet dita e vizionit, guximit dhe shpresës kolektive për lirinë dhe të ardhmen e popullit të Kosovës.