20 vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001, kreu i SHVL UÇK-së, Fazli Veliu, ka kërkuar zbardhjen e disa vrasjeve që kanë ndodhur në kohë armëpushimi. Veliu, tha se në një kohë kur ka patur armëpushim mes dy palëve në konflikt kanë ndodhur disa vrasje, madje duke përfshirë edhe një vrasje në Kosovë në atë kohë, të Shpend Mazrekajt. Veliu me këtë rast tha se do të kërkojë që kjo vrasje të hetohet edhe nga qeveria në ardhje në Kosovë në krye me Albin Kurtin, shkruan gazeta KOHA.
“Kemi filluar të hetojmë ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë, për Muzaferin, të parin dëshmorë që ka rënë I cili është vrarë pa uniform. Rasti i dytë është i Omerit, i cili është vrarë në kohë paqe ndërmjet dy ushtrive tona. Për armëpushimin kanë qenë të informuar të gjithë deri në arritjen e një marrëveshje, prandaj djali ka dalur me prindin e tij me bagëtinë dhe e kanë vrarë për hakmarrje kundër Sellcës, kundër UÇK-së, kundër popullit tonë. Hetimet vazhdojnë. Po ashtu do të shkojmë edhe tek familja e Qemal Shaqirit, i cili ka rënë për këtë çështje, ka edhe dëshmorë tjerë të rënë në këtë kohë siç është Shpend Mazrekaj nga Kosova, i cili ka tentuar të vijë në ndihmë këndej, me një armë dhe ne përmes qeverisë së tanishme në krye me Albin Kurtin do të kërkojmë të hetohet vrasja e tij”, tha Veliu.
Ai ka përmendur edhe vrasjen e Harun Aliut me shokë dhe kërkoi zbardhjen e rastit. Këto komente janë bërë gjatë homazheve në fshatin Sellcë të Tetovës, me rastin e 20 vjetorit të fillimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001 në mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të policisë dhe ushtrisë maqedonase. Ish komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, tha se falë kësaj lufte janë arritur shumë të drejta të shqiptarëve, pasi që paraprakisht shteti maqedonas nuk lëshonte pe për këta të drejta pa armë.
“Ju e dini se luftën nuk e filluan për të shitur kapadaillëk dikujt, nuk e filluam luftën për të shfryrë një mllef ndaj dikujt, por luftën e nisëm duke hasur në pengesa të vazhdueshme nga pala tjetër për sa i përket kërkesave që u bënë dekadave të fundit në favor të shqiptarëve, nuk hasën në mirëkuptim dhe ne u detyruam të marrin pushkët për të drejtat tona. Ajo luftë do të mbahet mend për shqiptarët e Maqedonisë, sepse bëmë një luftë e cila u shënua me fitoren e shqiptarëve dhe UÇK-së dhe u arrit një marrëveshje e cila u përfshi në sistemin e shtetit, ku sot i gëzojmë një pjesë të drejtave të cilët bazën e kanë tek lufta e UÇK-së. Problemet që I kishim para 20 viteve nuk i kemi, siç janë përdorimi i simboleve kombëtare, përdorimi i gjuhës shqipe dhe këta nuk mund t`I ndalojë kush përdorimin e tyre”, tha Lika. Në këtë përvjetor ka munguar ish përfaqësuesi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti. (koha.mk)