Gjergj Kastrioti Skenderbeu, me rastin 550 vjetorit të vdekjes

Nga Nebi Dervishi/

Viti 2018 për botën shqiptare (Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe diasporë) shënon një ngjarje madhështore e kuptimplote. Ky vitë wshtw shpallur përvjetor Jubilar kushtuar Heroit të lavdishëm Gjergj Kastrioti Skenderbeut me rastin e 550 vjetorit të vdekjes.

Për popullin tonë datat e shënuara të historisë nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë ngjarje të thejshta, të cilave u detyrohet vetëm një lloj, respekti konvencional, në një ditë të caktuar të kalendarit, për t’i lënë pastaj në gjumin e harresës. Si ruajtës, vazhdues dhe kurorëzues i thesarit të traditave historike, patriotike, populli ynë i ka vlersuar këto tradita, duke i mbajtur të gjalla në shërbim të çështjes së madhe të lirisë e pavarsisë kombëtare, të mbrojtjes së tërësisë dhe sovranitetit të tokës së shenjtë të atdheut, të luftës për ndërtimin e jetës së re. Në mënyrë të veçantë vlen kjo për figurën lavdiplote të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, që qëndron si përmendore vigane e njërës nga periudhat më vendimtare të historisë sonë kombëtare dhe zë një vend të shquar nderi edhe në fletët e historisë botërore.

Bashkë me heroin kombëtar Skenderbe, ne sot në këtë 550 vjetor Jubilar të vdekjes, përkujtojmë me mirënjohje një epokë të tërë që mban me të drejtë emrin e tij, si një nga  epokat më vendimtare të historisë kombëtare, në të cilën masat popullore shqiptare, si heronjë pa emër, nën udhëheqjen e Skenderbeut për dhijetra vjet me radhë luftuan për mbrojtjen e tokës së lirisë e të pavarsisë së vet, duke i vënë themelet e qëndrueshme asaj ndërtese që brezat e ardhshëm e çuan në fund, bashkimit të popullit shqiptar në shtetin e tij kombëtar.

Me botën mbarë, sot në këtë përvjetor  të 550 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, ne përkujtojmë epokën e Skenderbeut si një pjesë të asaj lufte të madhe, në të cilën popujt e Evropës Juglindore, e midis tyre në radhët e para populli shqiptar, duke luftuar për tokën e lirinë e vet, u bënë një ledh mbrojtës për të ndaluar vërshimin shkatërrues të agresionit të sulltanëve osmanë në shek.XV, agresion që vinte në rrezik fatet e qytetërimit evropiane në përgjithësi.

Kastriotët e kanë origjinën nga Hasi i Kuksit. Gjyshi i Skenderbeut, Pal Kastrioti, mund të jetë larguar nga Hasi dhe të jetë vendosur si pronar i dy fshatrave në Luginën e Dinit të Zi (Sinjës dhe Gardhit të Poshtëm). Zotërimet e Kastriotëve filluan të zgjeroheshin që në fund të shek.XIV, nga i biri Gjon Kastrioti, i ati i Skenderbeut.

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu lindi në vitin 1405. Ishte djali më i vogël dhe fëmija i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe Vojësavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ato kishin katër djem ( Stanishin, Reposhin,Konstantinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza ( Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën).

Gjergj Kastrioti lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte fuqizuar.

Në moshën nëntëvjeçare ai u dorzua peng tek osmanët, së bashku me dy vëllezërit e tjerë. Zgjuarsia dhe shkathtësia e dalluan nga vëllezërit e tij. Prandaj, për rreth 10 vjet Gjergji vazhdoi shkollëne içogllanëve për t’u përgatitur si qeveritar osman. Natyra e kishte paisur me dhunti të veçanta mendore dhe fizike. Në shkollë,ku u dallua nga të tjerët, u përgatit ushtarakisht dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Atij iu vu emri Skender (Aleksandër).

Pinjoll i një familje të madhe sunduese feudale, Skenderbeu ishtë më i vogli i katër djemve të Gjon Kastriotit. Fëmijëria e tij bie në vitet kur vërshimet që nga Jugu drejt Veriut, duke i imponuar vendit një regjim që sillte një rëndim të përgjithshëm ekonomik-shoqëror të masave të vendit. Nën këto goditje u gjendën qysh herët edhe zotrimet e Kastriotëve, që shtriheshin në Shqipërinë e Mesme-Lindore. Lufta kundër këtij pushtimi me rrjedhime shkatërrimtare që vinin në rrezik gjithë zhvillimin e arritun nga vendi si dhe të ardhmen e kombit shqiptar, përbënte thelbin kryesor dhe detyrën themelore të jetës dhe veprimtarisë së Skendërbeut.

Përvoja e 30 vjetëve të parë të shekullit XV i kishte treguar Skenderbeut gadishmërinë e masave popullore për të luftuar. I kishte treguar se lufta e veçantë e zotruesve të ndryshëm feudal si dhe kryengritjet popullore në krahinat e ndryshme veçmas, sado të fuqishme që kishin qenë, nuk ishin në gjendje të ndalnin pushtimin osman. Po ashtu ishte bërë e qartë për Skenderbeun se sulltani nuk lejonte në asnjë mënyrë që zotërimet e Kastriotëve të mbeteshin të bashkuar qoftë në formën e një ziameti me vete në kuadrin e Sanxhakut shqiptar, që ishte formuar më 1431.

Këto ishin rrethanat, në të cilat u zhvillua ajo kthesë vendimtare dhe fillon ajo etapë e re më e lartë në luftën kundër pushtimit osman dhe gjithë historinë tonë që lidhet me emrin dhe veprën e Skënderbeut. Kjo kthesë që zhvillohet në vitet 1443-44, i ka rrënjët në kushtet objektive e subjektive të brendshme, që u favorizua edhe nga disa rrethana të jashtme.

Përparimi osman në viset qëndrore të Ballkanit drejt Danubit, pushtimi i tokave serbe në 1439, goditjet e njëpasnjëshme kundër Mbretërisë Hungareze, e detyruan këtë të kalonte që nga viti 1442, në një politikë kundërsulmuese të fuqishme kundër osmanëve. Përfaqësuesi i kësaj politike u bë J. Hunijadi, i cili pas Skënderbeut u bë një nga figurat më aktive të luftës antiosmane. Nën udhëheqjen e tij, një ushtri hungareze kaloi në vjeshtë të vitit 1443 Danubin. Për t’i siguruar asaj mbështetje në këto vise, u zhvillua një veprimtari e gjallë diplomatike, në mesin e të cilëve u përfshi edhe Arbëria. Qëndrimi i Skenderbeut në Betejën e Nishit në ditët e para të nëntorit 1443, ku forcat osmane pësuan disfatë, nuk ishte një veprim i lindur spontanisht, por rezultat i planit të paramenduar. Në këtë ndeshje morën pjesë me repartet e veta të gjithë sanxhakbejlerët. Skenderbeu u tërhoq me forcat shqiptare që kishte me vehte, ose që mundi të mblidhte. I pajisur me një ferman që ia mori me forcë, siç na thonë shumë burime, sekretarit të vulës së Bejlerbeut, me shpejtësi të rrufeshëm Skenderbeu mori rrugën e kthimit në atdhe, rrugën e kryengritjes së hapur kundër sulltanit.

Tani gjithçka varej nga shpejtësia e veprimit dhe vendosmërisë, për të ngritur në këmbë masat, për të zënë në befasi garnizonet armike në vend, për tu marrë atyre kalatë, pikmbështetjet e tyre të fuqishme në të katër anët e vendit. Faktori vendimtar që e lehtësoi planin e Skenderbeut ishte përgjigjia që e gjeti që në hapat e para ky veprim në tokat shqiptare. Mobilizimi masiv i forcave që filloi së pari në Dibër dhe erdhi duke u zgjeruar prej andej valë-valë në të gjithë vendin, ishte prova se këtu ishte fjala për një veprim që u kthye brenda pak kohe në një kryengritje të përgjithshme. Në këtë, gjenin shprehje aspirat dhe interesat e shtresave më të gjëra të shoqërisë shqiptare:  të masave fshatare mbi të cilat rëndonte prej kohësh pesha kryesore e sundimit të huaj, por edhe të asaj pjese të klasës feudale që ishte shpronësuar tashmë apo ishte në rrezik të shpronësohej me zgjerimin e mëtejshëm të pushtetit osman. Në muajt e parë të kthimit, Skenderbeu zhvilloi një veprimtati të gjërë, të palodhshme dhe vendimtare deri në skajet më të largëta. Brenda tre muajsh u morën kalatë e mëdha dhe u çlirua principata e Kastriotëve si dhe pjesa më e madhe e trevave shqiptare.

Sa lartë e çmonte Skëndërbeu gadishmërinë luftarake të kombit, tregojnë fjalët që ai i tha, sipas Barletit, në çastet solemne kur  në kështjellën e Krujës së çliruar më 28 Nëntor 1443, u ngrit përsëri Flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dy krenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftërave për liri të popullit shqiptar: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj… armët nuk ua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosut, lirinë e kishit kudo në krahëror, në ballë, në shpatë, në ushtat!”- u tha ai ushtarëve në takimin e parë me ta.

Duke nxjerrë mësime nga përvoja e dhjetëra vjetëve luftime e dështime në planin shqiptar, Skenderbeu u bë guri themeltar i gjithë veprimtarisë se tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak në vitet që do të pasojnë. Pa kapërcyer pozitat e vjetëruara politike të përçarjes së vendit në një varg zotrimesh të veçanta, pa krijuar një bazë politiko-ushtarake të organizuara e të qëndrueshme, pa bashkërënditur veprimet e brendshme me lëvizjet antiosmane që organizoheshin në plan të jashtëm, lufta nuk do të kishte perspektivën e fitores. Ishte meritë e madhe e Skenderbeut që u bë shprehësi  dhe zbatuesi më i qartë, më i ndërgjegjshëm dhe më i vendosur i kësaj domosdoshmërie që impononte situata objektive.

Pas fitoreve të para të viteve 1443-44, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet  e ushtrive osmane, të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Alhri (Ohër), Manastir, Kosturë e Shkup me forcat gjithnjë e më të mëdha, me ekspeditat të organizaura vit për vit me një rregullsi të paramenduar, në kohën e mbjelljeve e të korrave, për t`i shterur forcat njerëzore dhe mundësit ekonomike të vendit. Detyrë më urgjente, organizimi sa më efektivë të mbrojtjes së vendit, i shërbeu thirrja e Kuvendit të Lezhës (2 mars 1444), dhe themelimi i Beslidhjes të sundimtarëve shqiptar si organ politik.

Me autoritetin e vetë si udhëheqës i kryengritjes së përgjithshme dhe nismëtar i mbledhjes, si përfaqësues i njërës nga principatat më të mëdha e të rëndësishme të vendit nga pikpamja politike dhe ushtarako-ekonomike, Skenderbeu mundi t’u inponohej sundimtarëve feudal dhe përfaqësuesve të krahinave të vetëqeverisura për të kapërcyer divergjencat që kishin midis tyre. Lidhja e Lezhës u bë kështu i pari bashkim politik në shkallën mbarëshqiptare që njihet në historin tonë. Skenderbeu u zgjodhë kryetar i Lidhjes dhe komandant i përgjithshëm i saj. Nënë udhëheqjen e Skenderbeut, ushtria që ai organizoj, kaliti e komandoi, u bë një armë e fuqishme tejet e shkathët për mbrojtjen e vendit. Tokat shqiptare për më se 25 vjet mundën t’u bënin ballë vërshimeve të njëpasnjëshme, betejave masive, bllokadave dhe rrethimeve që organizuan Murati II dhe i biri Mehmeti II, i mbiquajtur “Pushtues i botës”, për të zhdukur këtë vatër qëndrese në brigjet lindore të Adriatikut, në një kohë kur vëmendja e osmanëve ishte drejtuar parasëgjithash drejt Evropës së Mesme.

Duke shfrytëzuar veçoritë e terenit shqiptar, luftën tradicionale e popullore dhe duke kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjiko-taktike dhe ndeshje frontale, Skenderbeu kundërshtarin e lodhi me pusi e kurthe, alarmë e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht. Me këtë strategji të mbrojtjes aktive, me parimin “mbrohu duke sulmuar”, ai arriti rezultate të shkëlqyera me një ushtri relativisht të vogël, duke vënduar në jetë parimin e tij, se kush nuk është në gjendje t’a mund armikun me një ushtri prej 10-12 mijë ushtarë, nuk do të mund ta bëjë këtë as edhe me një ushtri shumfish më të madhe. Kjo ushtri bashkonte vrullin e një ushtrie popullore me përvojën e reparteve të zgjedhura, të specializuara për detyra të veçanta të një ushtrie të qëndrueshme, të rroguar, me komandantët e dalë nga radhët e kombit që u rritën e u kalitën bashkë me ushtrinë të udhëhequr nga Skëndërbeu.

Me këto forca komanda shqiptare arriti të fitonte dhjetëra beteja kundër ushtrive kufitare osmane. Fusha e Pollogut, e Dibrës, e Ohrit dhe Domosdovës, grykat dhe luginat e Drinit e të Shkumbinit, sidomos në vitet 1444-48, 1450-56, 1462-65, fushat e Ujit të Bardhë (1457) të Livadhisë 1462, të Vajkalit (1465) e tjera u bënë sheshe e arena disfatash të ushtrive të rëndësishme osmane.

Me një evolucion të brendshëm, Beslidhja e sundimtarëve shqiptarë filloi të kthehej në një aparat shtetëror, në një shtet të përqëndruar, që kishte si bërthamë qëndrore Zotrime e Kastrioteve. Në gjirin e klasës sunduese, në këto kushte, pozita kryesore në aparatin politik-shtetëror e ushtarak kaluan kryesisht në duart e feudalve të vegjël, të cilët qëndronin besnikërisht prapa përfaqësuesit të pushtetit qëndror.

Personaliteti i Skëndërbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak, dallonte me tiparet e veta karakteristike nga princërit e tjerë feudalë bashkëkohës të Perëndimit. Luftëtar i thjeshtë midis luftëtarve, ai luftonte me “mëngje të shpërvjelura”, në krye të një kalorësie që vepronte me shpejtësi të jashtëzakonshme në krahasim me ushtritë e rënda feudale. Ai ishte i veshur thjeshtë. Si burrë shteti ai nuk njihte intriga. Mishërues i traditave më të larta të kombit të tij, ai ishte shprehës i asaj force vitale të jashtëzakonshme që ka manifestuar kurdoherë populli shqiptar.

Kujtimi i Heroit shqiptar jetoi jo vetëm në zemrën e kombit që e lindi, por ai pati shtrirje që i kalonte kufijtë e Gadishullit Ballkanik, pra pati një peshë e rëndësi evropiane.

Sa kohë që vërshimi osman qëndronte si një shpatë e mprehtë mbi Evropën e Mesme e Perëndimore, aq kohë edhe figura e Skënderbeut, luftëtar e ngadhnjimtar kundrejt një armiku që mbahej si i pathyeshëm, vazhdonte të tërhiqte vëmendjen jo vetëm të historianëve, po edhe të ushtarakëve, të burrave të shtetit e të opinionit publik evropian.

Me këtë interesim gjithmon të gjallë, për luftën e kombit shqiptar dhe udhëheqësin e saj, e kishte burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, kushtuar figurës së Skëndërbeut në të katër anët e botës. Nga përvoja luftarake e shqiptarëve dhe udhëheqësit të tyre, kërkohej të nxireshin mësime për luftën kundër një armiku, që vetëm një Skëndebeu ishte në gjendje të thyente, ndërsa historianët e poetet e përdornin emrin dhe figurën e Skëndërbeut si flamur frymëzues për mobilizimin e masave të gjera fshatare.

Duke e ngritur figurën e Skenderbeut, ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare synonin të vinin në dukje meritat e mëdha që kishte populli shqiptar përpara Evropës, kulturën e së cilës ai e kishte shpëtuar nga shkatërrimi në kohën e rëndë të vërshimeve osmane. Skenderbeu i rritur në mes feve-për rilindasit u bë simbol i karakterit mbifetar e afetar që duhej të kishte kultura shqiptare.

Kësaj figure, si simbol legjendar të kombit shqiptar dhe si misherim të historisë së tij lavdiplote, të traditave të tij të lashta patriotike e luftarake, Rilindasit i kushtuan veprat e tyre artistike e shkencore. Ashtu siç kishte qëndruar në fillet e humanizmit shqiptar, vepra e parë e letërsisë shqiptare, e dalë nga pena e shkrimtarit patriotit Marin Barleci, ashtu  edhe në fillimet e letërsisë së Rilindjes dhe historiografisë së re shqiptare, qëndrojnë jetëshkrimet e heroit të shkruara nga rilindasit e parë, qëndron epopeja monumentale e Naim Frashërit.

Flamuri i Kastriotëve, që Skenderbeu e kishte çuar nga fitorja në fitore u bë Flamur  Kombëtar dhe i udhëhoqi shqiptarët nëpër periudha historike më të vështira dhe nëpër beteja të përgjakshme deri në ditën e shënuar të 28 Nëntorit 1912.

Tradita e luftës së madhe popullore, fryma e luftës së pamposhtur të shekullit XV, nuk u shua kurrë dhe nuk mund të shuhet, në popullin që e lindi. Skenderbeu pati shumë shokë e trima të frymëzuar nga Ai, të cilët luftuan e qëndruan të patundur si burra të vërtetë.

Punimin për të shënuar 550 Vjetorin të vdekjes, po e përmbyll me një mesazhë për realitetin tonë: duke u nisur nga përvoja e aspekteve që dalin nga Epoka e Heroit tonë Kombëtar Skenderbe, asnjëherë më tëpër se sot nuk u shfaq nevoja e një pajtimi të botës shqiptare të ndarë e të përçarë. Është imperativë e kohës të arrihet një pajtim i udhëheqësve tanë, para ngjarjeve vendimtar si i ka bërë Skenderbeu më se njëherë në Kuvendin e Lezhës ( 2 Mars 1444) dhe më pas.

Ja pra, përse Emri i Skëndërbeut dhe i popullit të tij do të qëndroj për jetë në panteonin e pavdeksisë.