25 Vjet UT – Universiteti i Tetovës e inauguroi Institutin shkencor “Josif Bageri”

0

Universiteti i Tetovës, në vigjilje të shënimit të 25 vjetorit të themelimit, sot me një ceremoni solemne e inauguroi Institutin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar “Josif Bageri”. Inaugurimi i institutit u bë nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe përgjegjësi i institutit, Mr. Sc. Ismet Jonuzi – Krosi, në prani të prorektorëve, Sekretarit të përgjithshëm të Universitetit, senatorëve, dekanëve, studentëve dhe veprimtarëve të arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.

Me resurset njerëzore – studiuesit që do të angazhohen, rezultatet e tij janë të pritshme duke marrë parasysh punën shkencore, hulumtuese që zhvillohet në Universitetin e Tetovës. Duhet theksuar se Universiteti i Tetovës në të kaluarën ka organizuar aktivitete, tubime, simpoziume shkencore për veprimtarinë atdhetare të njërit prej rilindësve të njohur, Josif Bagerit. Me këtë rast, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti theksoi se Universiteti i Tetovës me hapat e fundit që ndërmerr e dëshmon veten e tij si Universitet i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. “Përurimi i Institutit të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit “Josif Bageri”, në këtë përvjetor jubilar e dëshmon punën serioze që të gjithë së bashku e realizojmë në këtë institucion. Studimet e thelluara për kulturën tonë të pasur, do të jenë prioritetet e punës intensive që do të zhvillojë ky institut. Në kuadër të UT-së funksionojnë edhe institute dhe laboratorë të tjerë, por funksionalizimi i këtij instituti e plotëson veprimtarinë e përgjithshme shkencore që e zhvillon ndër vite Universiteti i Tetovës. Ne sot jemi në hapat e parë, por shumë shpejt do ta pajisim me infrastrukturën e nevojshme, do të angazhojmë studiues seriozë, që edhe do ta arsyetojnë hapjen e këtij instituti”, tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ndërsa përgjegjësi i Institutit “Josif Bageri”, Mr. Sc. Ismet Jonuzi Krosi, tha se inaugurimi i këtij instituti dëshmon për vlerat që ka ndërtuar në shoqërinë tonë Universiteti i Tetovës gjatë këtyre 25 viteve të funksionimit. “Në prag të shënimit të 25 vjetorit të themelimit të UT-së, sot përurojmë Institutin “Josif Bageri, që është themeluar me vendim të Senatit të UT, i cili është porosi jetike e rilindësit tonë Josuf Bageri, ndërsa jetësojmë edhe porositë e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Për këtë dua ta falënderoj edhe Rektorin aktual të Universitetit tonë, Prof. Dr. Vullnet Ametin, i cili po jep kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe afirmimin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptarë. Ky institut ka misionin e qartë për artikulimin e vlerave të kulturës, gjuhës shqipe dhe të qytetërimit tonë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Mr. Sc. Ismet Jonuzi – Krosi.

Përurimi i këtij instituti është mirëpritur nga opinioni shkencor në vendin tonë dhe më gjerë. Ky institucion shkencor pritet që të merret me studime serioze për historiografinë shqiptare, me theks të veçantë gjuhësinë, kulturën dhe qytetërimin shqiptar.