Rushiti: Festivali “PENA IME” do të nxitë individualitete të reja krijuese

0

Arti, vjen i gërshetuar më të gjitha format e tij në festivalin “PENA IME”, i cili në edicionin e tij të parë, jo vetëm që do të bashkojë artistë e do t’i dekorojë ata për veprat e tyre, por edhe do t’i falë Kumanovës një ngjarje të madhe kulturore, transmeton portali i Radio KFOR-it nga Prishtina.

“PENA IME”, projekt i realizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova dhe Likova, tashmë ka hapur konkursin për pjesëmarrje për të gjithë krijuesit shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, në fushën e artit figurativ, muzikës dhe poezisë.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, koordinatori i projektit “PENA IME”, Fatos Rushiti ka zbuluar detaje për festivalin:

Festivali “PENA IME” është projekti më ri i i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova dhe Likova, i cili do të mbahet për herë të parë me 20, 21 dhe 22 Qershor të këtij viti. Ky festival që përfshin tre lëmi Artin Figurative, Poetik dhe atë Muzikor, ka për qëllim të nxit individualitete krijuese, të instaloj vlera të reja duke vënë në pah stile vetanake tek të rinjtë dhe mosha e mesme nga të gjitha nacionalitetet”, tha Rushiti.

“PENA IME” do të zgjasë për tre ditë radhazi dhe mëton të jetë festival tradicional dhe të mbetet model si aktivitet profesional dhe serioz në pikturë, grafikë, vizatim, skulpturë, poezi, rok poezi, poema, muzikë serioze, instrumentale dhe muzikë zbavitëse.
Koordinatori Rushiti, gjithashtu na tregoi edhe për afatet dhe procedurat e aplikimit të artistëve në festivalin “PENA IME”:
“Konkursi është shpallur më 11 Maj dhe do të vazhdojë deri më 11 Qershor, ndërsa më 16 Qershor komisionet vlerësuese për tre lëmi do të bëjnë publike 70 emrat e përzgjedhur për pjesëmarrje në Festival. Më pas komisionet do të zgjedhin tre çmime “PENA e ARTË” – për Pikturë, Grafikë dhe Skulpturë, “PENA e ARTË I, II dhe III” – për Poezi dhe “PENA e ARTË” – për interpretuesin më të mirë muzikor. Viteve tjera shpresojmë të zgjerojmë çmimet në fushën e Muzikës dhe Artit figurativ për Vizatim dhe Fotografi”,përfundoi Rushiti.

Festivalit “PENA IME” nuk do t’i mungojnë as mysafirët e shumtë nga rajoni. E pikërisht për artistët nga Kosova, Shqipëria e më gjerë do të mund të jenë pjesëmarrës të festivalit në rolin e konkurrentit, pasi “PENA IME” pritet të bëhet festival tradicional.