3.4 milion euro për një gjëegjëzë, kujdes nga vetëmohimi

0

Shkruan Prof. Ilire Dauti

Pyetja e referendumit konsultativ, “a jeni për antarësim në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë“, më shumë i ngjanë një enigme që shqiptarët i ve para një sprove delikate që me maturi duhet trajtuar. Gjysmës së parë të pyetjes shqiptarët që moti i kanë dhënë përgjigje dhe i japin kurdo që të pyeten. Por, gjysmës së dytë …? Ecni shqiptar e gjejeni përgjigjen!

Në momente të rëndësishme, shqiptarët dëshmuan se janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën për ta demokratizuar shtetin dhe institucionet e tij, por jo edhe për të sakrifikuar identitetin e vet. Orientimi i shqiptarëve pro inkuadrimit në strukturat euroatlanike ka qenë gjithëmon pozitiv pikërisht për faktin se jemi shqiptar. Si të tillë i duhemi vetes dhe botës, s’kemi nevojë për tu vetëmohuar.

Nga ana tjetër organizimi i referendumit konsultativ në një shtet me borxh publik që sipas Ministrisë së Financave (30.06.2018) pa përfshirë borxhin e Bankës Qendrore, ka arritur në 5 miliard e 139 milion euro ose 47.7% të BPV të Republikës së Maqedonisë, është luks që nuk duhej toleruar.

Në emër të qytetarëve vazhdojnë të dëmtohen ata. Kësaj here me 3.4 milion euro ose 210.400.000 denarë, me të cilat do të organizohet referendumi. Këto para qeveria, vendosi ti shkurtoj nga më shumë destinime, në mësin e të cilave nga Ministria e Shëndetësisë zvoglohen mjetet e parapara për ndërtim dhe blerje të paisjeve mjekësore për 14.000.000 denarë. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës zvoglimi i mjeteve bëhët për 10.000.000 denarë, ndërsa nga kultura 26.000.000 denarë. Për 1.000.000 denarë zvoglohet vlera e punësimeve të përkohëshme. Investimet për mjedisin jetësor zvoglohen për 5.000.000 denarë. Monitorim dhe mbrojtje nga ajri i ndotur për 5.000.000 denarë. Subvencionet kapitale për ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare shkurtohen për 5.000.000 denarë. Mbështetja për bujqësi dhe zhvillim rural për 10.000.000 denarë. Paga minimale dhe transfere të ndryshme shkurtim të mjeteve për 10.000.000 denarë. Nga mjetet e destinuara për të ndihmuar turizmin vendor për punëtor me të hyra të ulta shkurtimi është bërë për 5.000.000 denarë, si dhe shumë shkurtime tjera nga aktivitete të rëndësishme në ndërkohë që qytetarët presin përmirësim të cilësisë së jëtës së premtuar.

Krejt kjo në kohën kur nënpyetjet kundërshtuese që përbëjnë enigmën e referendumit do të debatoheshin në parlament, që sido që të jetë epilogu i referendumit përsëri aty do duhet të kaloj.

Komentet

komentet