Komisioni i Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme mbi punën e Prokurorisë Themelore Publike Strugë, Prokurorisë së Lartë Publike Manastir dhe Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për rastin e kryetarit të Strugës, Ramiz Merko.
“Gjatë këtij procesi u gjetën dhe u verifikuan e gjithsej 30 lëndëve të ngritura kundër Ramiz Merkos, kryetar i Komunës së Strugës”, njofton sot Prokuroria Publike, përcjell INA.
“Me detyrimin për t’u udhëhequr nga parimi i prezumimit të pafajësisë, Prokuroria Publike siguron publikun se në të gjitha rastet aktive ndaj personit të caktuar do të ndërmerren veprimet e nevojshme dhe do të hetohen të gjitha rrethanat dhe do të konstatohet çdo krim, si dhe nuk do të mbetet pa ndjekje penale përkatëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga aty shtojnë se Prokuroria Themelore në Strugë disponon katër raste kundër Merkos, të ngritura që nga fillimi i vitit, dhe po vepron në dy raste në hetimin paraprak nga viti 2021, të cilat kanë të bëjnë me projekte konkrete të Komunës së Strugës.
Për katër lëndë të tjera të pazgjidhura (2 nga viti 2019 dhe 2 nga viti 2022), prokurorët publik që kanë ndërmarrë veprime kanë marrë udhëzime për të dinamizuar më tej procedurën.
Prokuroria e Lartë Publike e Manastirit është udhëzuar në periudhën e ardhshme që të bëjë kontrolle të shpeshta dhe të monitorojë procedurat në të gjitha rastet ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar në prokuroritë publike themelore nën juridiksionin e saj.
Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka gjithsej pesë lëndë (2 në RO dhe 3 në regjistrin KO).
“Ndër to është edhe rasti me blerjen e kontestuar të veturave zyrtare në Komunën e Strugës, të cilit i bashkëngjiten iniciativa e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe raporti i Entit Shtetëror të Auditimit, dhe në të cilin është miratuar një aktvendim për një pjesë të akuzave, por pjesa tjetër është ende objekt kontrolli. Prokurorit publik kompetent i janë dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme në këtë rast”, thuhet në njoftimin zyrtar, përcjell INA.
Nga Prokuroria e Përgjithshme Publike theksojnë se në këtë proces presin mbështetje nga publiku, por edhe nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë punën e tyre, duke shtuar se ka dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj asnjë forme të krimit.
Departamenti i Shtetit Amerikan më 20 qershor përfshiu Ramiz Merkon në “listën e zezë”, për shkak të gjetjeve të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, shpërdorim fondesh dhe ndërhyrje në gjyqësor. Sanksionet amerikane synojnë gjithashtu gruan e Merkos, si dhe tre fëmijët e tij.(INA)