31 përqind e çifteve të martuara në Maqedoni janë pa fëmijë

Në Maqedoni numërohen gjithsej 538.348 familje, nga të cilat 62 përqind jetojnë në zonat urbane dhe 38 përqind në zonat rurale.

Sipas përbërjes familjare, pjesa më e madhe – 43 përqind e tyre janë çifte të martuara me të paktën një fëmijë nën 25 vjeç, ndërsa 31 për qind janë çifte të martuara pa fëmijë, tregon grupi i katërt i të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë, Familjeve dhe Banesave i vitit 2021, publikuar sot nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Mbi 26 mijë familje ose 4.9 përqind e familjeve janë nëna beqare me të paktën një fëmijë nën moshën 25 vjeç dhe mbi nëntëmijë familje ose 1.7 përqind janë baballarë beqarë me të paktën një fëmijë nën moshën 25 vjeç.

Mbi dhjetë për qind ose rreth 58 mijë familje janë çifte të martuara me fëmijën më të vogël 25 vjeç e lart që jetojnë me ta.

Numri i përgjithshëm i familjeve individuale është 598,632, ndërsa numri mesatar i anëtarëve në amvisëri është 3.1.

Sipas numrit të anëtarëve në familjet individuale, 468,336 persona ose 25,5 për qind jetojnë në amvisëri me katër persona, ndërsa numri i personave në amvisëri me një person është 103,237 ose 5,6 për qind.

Numri i banesave të banuara në vend, sipas të dhënave të Censusit nga viti 2021, është 531.987 ose 63.4 për qind e numrit total të banesave.