Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mesnatën e së hënës në një shtëpi në rrugën magjistrale Ferizaj-Shkup.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Vesesli, i cili tha se në shtëpi, sipas viktimës janë vjedhur 38 mijë euro para kesh, stoli ari në vlerë 3 mijë euro, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, për të cilat posedon leje.
“Më datën 02.01.2023 rreth orës 23:30 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shkup afër “Bau Market” në një shtëpi private ishte një rast i vjedhjes së rëndë. Policët e rendit e më pas hetuesit rajonal së bashku me krim teknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë nisur hetimet. Nga informatat e para është mësuar se rreth orës 17:00, pronari i shtëpisë A.P ( M/) 38 vjeçar së bashku me anëtarët tjerë të familjes kishin dalë nga shtëpia dhe me tu kthyer rreth orës 23:00 kanë vërejtur se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë nga dritarja e shtëpisë dhe nga aty, sipas viktimës kanë vjedhur: 38 mijë euro para kesh, stoli ari në vlerë 3 mijë euro , një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, për të cilat posedon leje”, tha Veseli për Demokracia.com.
Ai tha më tej se Policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe po punon intensivisht për të zbardhur sa më shpejtë rastin.