4 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës! Drejtësi nuk ka!

0

Nga Vlera Gjakova/

9 dhe 10 maji në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë gjithmonë rikthen skenat e luftimeve të tmerrshme të vitit 2015. Kjo lagje mbeti e bllokuar për dy ditë, por shumëçka mbetet e paqartë, ndërsa në anën tjetër Gjykata Kushtetuese e kategorizon “Grupin e “Kumanovës”, si terroriste.
Nga kjo përleshje me armë humbën jetën 8 pjestarë të policisë dhe 10 nga grupi i armatosur. U plagosën 37 pjesëtarë të policisë dhe u shkatërruan mbi 25 shtëpi shqiptare. Për rastin e Kumanovës u arrestuan dhe gjykuan 37 persona. Procesi gjygjësor zgjati dy vjet ku prej 37 të akuzuarve për terrorizëm, vetëm 4 persona u liruan nga akuza.

Pyes:

Si është e mundur të krijohet një “grup” dhe të sulmohet një lagje, në periudhën e njëjtë kur publikoheshin nga Zaevi të ashtuquajturat ‘bombat’, të cilat kanë të bëjnë me dokumente për skandale, afera korruptive dhe kriminale të pushtetit aktual në vitin 2015. A nuk ishte kjo një defokusim nga përgjimet – bombat?! (dhe kur jemi te “bombat”, përse sot këto bomba janë shkrirë si bombona?);

Si është e mundur që “Grupi i Kumanovës”, të jetë i ndjekur dhe përgjuar më shumë se gjashtë muaj nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë dhe të mos parandalohet në momentin e veprimit?!;

Përse Shërbimi Sekret i Maqedonisë nuk ka ndërmarë masa kur i ka pasur të gjitha informacionet/indikacionet për ngjarjet në Goshincë dhe Kumanovë si: bazat logjistike, kapacitetin e grupit të Kumanovës, armatimin, ku janë fizikisht të vendosur, por edhe para sulmeve, gjatë gjithë kohës kanë informuar organet kompetente, gjegjësisht partitë në pushtet?!;

Agjencia e Kundërzbulimit të Kosovës e ka informuar presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa për incident eventual në Kumanovë, përse nuk kanë reaguar për ta parandaluar?!;

Përse nuk ka kurrfarë informate se çfarë po bëhet me hetimin ndërkombëtar, përderisa është kërkuar grup ekspertësh ndërkombëtar që ta sqarojnë tërë rastin?!

Por çka mësuam nga “Lagja e Trimave” të Kumanovës?

Idetë politike fillojnë të realizohen natyrshëm kur ato perceptohen si të domosdoshme dhe të parrezikshme. Deri më tani politika shqiptare në Maqedoni ka ndjekur vijën natyraliste, që do të thotë se kërkesat që i ka shtruar i ka argumentuar me kategori natyraliste: jemi shqiptarë, është e natyrshme që të kemi të drejtën e posedimit mbi territorin, habituesin natyror ku jemi dominant.

Ky është argument i natyrshëm dhe i pakontesueshëm në arsenalin e politikën shqiptare, por i pamjaftueshëm, veçmas ngaqë, pa kurrfarë nevoje, shfaqet me ngjyra të rrezikshme, pra etiketohemi si terrorista, ose si sfidim dhe rrezik për tjetrin dhe konstelacionin ndërkombëtar.

Përderisa kërkesat dhe të drejtat tona nuk i normativizojmë me kategori politike, nuk i harmonizojmë me koventat dhe tendencat ndërkombëtare, përderisa ato nuk i paraqesim si rrezik, por lehtësim për tjetrin, ne do të ballafaqohemi me shpritligësinë e tjetrit dhe me hezitimin, apo rezervat gjithnjë e më të shprehura të faktorit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, kundërshtarët tanë, në mungesë të argumenteve natyraliste, mbrohen me kategori politike që janë shndërruar në standarde të marrëdhënieve ndërkombëtare, me kërkesa si kjo për sovranitet të shtetit, pacenueshmëria e kufijve, kategorizimi i një kauze kombëtare si çështje minoritare, etj.
Në fund të këtij eksperimenti politik, një shqiptar me kallashnikov duket më i rrezikshëm ose sfidues i rendit ndërkombëtar sesa kundërshtari i tij me tank që i shkatërron vendbanimet e civilëve, siç ndodhi në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë.

Edhe pse po faktorizohemi në vazhdimësi se këtu gjërat po lëvizin shumë bukur, gjendja momentale në Maqedoni është sikurse e pacientit që e pret diagnozën për sëmundjen që e ka pushtuar befasisht, si e pacientit të frikësuar nga më e keqja, si e atij pacientit që është i befasuar dhe që instiktivisht tenton të sillet normalisht si të mos kishte ndodhur asgjë.

Por diagnoza për Maqedoninë është dhënë shumë më herët, pikërisht atëherë kur filloi të shthuret Jugosllavia. Maqedonia vuan nga ajo sëmundje nga e cila u dergj Jugosllavia: antogonizmat etnik, pamundësia për të gjetur një kod bashkues, një kod që i harmonizon marrëdhëniet mes komuniteteve të ndryshme etnike.