5 pedagogë me gradën Doktor i Shkencave, rezultojnë pa shkollë të mesme

0

Skandali dhe e paprecedentë për arsimin shqiptar dhe botën akademike në 30 vitet e fundit në Shqipëri. 5 pesë pedagogë të universitetit kanë marrë gradën Doktor Shkencash, por rezultojnë pa shkollë të mesme, 1 tjetër nuk ka mbaruar shkollën e Lartë. MASR të kontrollojë dhe vërë para përgjegjësisë dekanë dhe rektorë, që kanë firmosur rekrutimin dhe të çojnë para drejtësisë abuzuesit. Prej vitesh Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është përfolur për korrupsion, nepotizëm, punësime me lidhje krahinore, klanore, por edhe për shpërdorim të detyrës nga ana e drejtuesve dhe ish drejtuesve të këtij institucioni për abuzim me fondet publike në shërbim të familjarëve të drejtuesve etj.

Por muajt e fundit në institucionin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ka plasur një tjetër skandal! 5 pesë pedagogë të këtij universiteti, pas verifikimit kanë rezultuar se kanë marrë gradën Doktor i Shkencave, por ndërkohë rezultojnë se nuk kanë përfunduar shkollën e mesme, apo nuk kanë përfunduar universitetin? Pedagogët në fjalë prej shumë vitesh kanë qenë pjesë e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, me sa duket ata janë me eksperiencë në këtë universitet. Jo vetëm kaq, por universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, është bërë objekt i shumë shkrimeve edhe për faktin se, sipas të dhënave, ka edhe pedagogë të tjerë me precedentë penale. Ministria e Arsimit është në dijeni të të gjithave këtyre bëmave, pasi ajo, jo vetëm që është sinjalizuar për çdo individ, por ajo disponon edhe databazën e të dhënave për çdo individ që punësohet si pedagogë. Pra, Ministria e Arsimit ka mbyllur sytë para gjithë kësaj katrahure, që po ndodh në Universitetet publike shqiptare, sepse është pikërisht ministria e Arsimit, apo deputetët e ndryshëm që fusin hundët sa herë që ka zgjedhje në universitetet publike, duke zgjedhur rektorët, apo dekanët e ndryshëm, mjafton që këta të jenë të bindur të partisë, e për sa i përket formimit, moralit apo integritetit të tyre s’ka problem! Pra, rasti i 5 pedagogëve të universitetit “Ismail Qemali”, ku kanë marrë gradën Doktor Shkencash dhe rezultojnë që nuk kanë përfunduar shkollën e mesme, apo shkollën e Lartë është i paprecedentë këto 30 vite. Kjo vërteton se Arsimi në Shqipëri jo vetëm nuk ka rilindur, por ai po varroset njëherë e përgjithmonë!