500 shtëpitë e para do të ndërtohen në Laç nga Erdogani

0

Në Laç do të nisë shembja e godinave të cilat kanë rezultuar të pabanueshme për shkak të tërmetit. Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në orët e para të mëngjesit se, duhet të nisë sa më shpejt shembja e pallateve të rrezikshme dhe prej andej të nisë ndërtimi i lagjeve të tjera me parametrat dhe standardet e duhura.
“Në Laç do të fillojmë shembjen e atyre godinave, nuk kemi çfarë presim më. Të gjitha pallatet që vizitova unë, pallatet e revolucionit demokratik duhet të shemben dhe të gjithë atyre duhet t’u bëjmë shtëpi të reja pa diskutim. Që të kemi edhe në Laç një lagje krejt të re të ndërtuar me parametra të tjerë në të gjithë atë zonë. Kështu që filloni menjëherë shembjen e atyre pallateve, komunikoni me banorët për të marrë çfarë ka brenda, ndihmojini që t’i marrë gjërat që kanë brenda në qoftë se nuk ka probleme rrezikshmërie për të qenë të sigurt 100%, nxirrjani gjërat që kanë brenda dhe filloni shembjen e pallateve. Të gjithë ato pallate problematike në atë zonën që vizituam do të pastrohet, e gjithë ajo zonë do të bëhet një lagje e re e Laçit. Të fillojmë menjëherë”, – u shpreh Rama. Ai informoi po ashtu se “ne kemi mundësi dhe është në komunikim, tani është thjesht çështja që të krijojmë hapësirë pune me agjencinë shtetërore të strehimit të Republikës së Turqisë, që ai premtimi i Presidentit të Turqisë për 500 shtëpi të fillojë të realizohet. Dhe aty faktikisht kemi bllokun më kompakt dhe kemi hapësirën më të mundshme për të vepruar tani që flasim. Ndërkohë tek këto hapësirat e Tiranës e Durrësit na duhet që të planifikojmë, bëjmë, është pak më e komplikuar sepse aty ka nevojë për shumë infrastrukturë. Na duhet më shumë infrastrukturë ndërkohë që në qytetin brenda në Laç infrastruktura është aty, ajo pamja e infrastrukturës, kanalizimeve ujësjellësi etj mund të ketë nevojë për t’u përmirësuar por është aty. Kurse në zonat ku do të ndërtojmë në Tiranë e Durrës s’ka asgjë, janë vetëm ferra”.