Qeveria në mbledhjen e djeshme miratoi informatë për realizim të projekteve nga programi për ndërtim dhe rikonstruim të objekteve sportive për vitin 2024 nga ana e Ministrisë së Sportit.
Megjithëse renditen gjashtë salla sportive, asnjë nuk gjendet në komunat me shumicë shqiptare. Në listën që dje e publikoi Qeveria, është ndërtimi i sallës sportive në Akademinë Ushtarake – Shkup, sanimi i sallës sportive Rasadnik në Komunën Kisella Vodë, si dhe të sallës sportive në Universitetin “Kirili dhe Metodi”. Lidhur me projektin “Ndërtimi i sallës sportive në Akademinë ushtarake – Shkup”, nga Qeveria kumtuan se salla sportive do të ndërtohet në kompleksin e kazermës në komunën Aerodrom. E njëjta do të dedikohet për kadetët e Akademisë ushtarake. Realizimi do të zhvillohet në vitin 2024 dhe në vitin 2025, shkruan gazeta KOHA.
Lidhur me projektin “Sanimi i sallës sportive Rasadnik, Komuna Kisella Vodë”, rikonstruimi do të bëhet në bashkëpunim me Komunën Kisella Vodë. Nga ana e Komunës është përgatitur Projekt për rikonstruim të sallës sportive multifunksionale Rasadnik me kapacitet prej 1000 deri 1500 shikuesve.
Projekti “Sanimi i sallës sportive në UKM” është gjithashtu pjesë e këtij programi. Siç kumtuan nga Qeveria, salla është dëmtuar për shkak se pas përfundimit të aktiviteteve ndërtimore, e njëjta nuk ishte kyçur në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, që ishte obligim i Universitetit. Nevojiten një sërë sanimesh, si riparime të fasadës, ndërrimi i dritareve, sigurimi mekanik i pajisjes dhe të ngjashme.
Siç kumtuan nga Qeveria, do të realizohet edhe projekti “Sanimi i sallës sportive në Komunën Radovish”. Projektet e tjera janë “Sanimi i sallës sportive në Komunën Novo Sellë”, “Sanimi i fushës së futbollit të KF Teteks, Tetovë”, “Sanimi i këndeve të lojërave shumëfunksionale të lagjes”, “Sanimi i këndeve për fëmijë me vendosje të pajisjes sportive në kopshte “, “Vendosja e rampave në objektet për sport për persona me pengesa”, “Ndërtimi i rrugicës atlete në Komunën Gjevgjeli”. Ministria e Sportit është institucioni që do të zbatojë procedurat për furnizime publike me qëllim të zgjedhjes së kryerësit më të volitshëm dhe organit mbikëqyrës gjatë realizimit të projekteve. Këtë vit, siç theksojnë, mjetet në vlerë prej 35.039.500 denarë (570 mijë euro) do të dedikohen për investime për këto objekte.
Këtë vit, siç theksojnë, mjetet në vlerë prej 35.039.500,00 denarë do të dedikohen për investime për këto objekte. (koha.mk)