Rron Gjinovci
Kosova përtej pritjeve të mija dhe rrjedhës natyrore për me kriju identitet kombëtar më vete, gja që po ndodh ngadalë, është duke e pasë edhe një moment tjetër. Kosova ka fillu me u shndërru në shtetin amë të shqiptarëve, rol që mendohej se i takonte Shqipnisë. Pse? Sepse shqiptarët, sidomos ata që nuk banojnë në Shqipni po e ndjejnë se shtet ma i susksesshëm me shumicë etnike shqiptare është Kosova. Vend ma demokratik, ma i lirë, ma i pakorruptum, me perspektivë të mirë për të ardhmen, ndërkaq Shqipnia e korruptume në palcë, e udhëhequn prej mafiave të ndryshme, me klasë politike të stërkequn, nuk duket se i ka gjasat e mira me shërby si shteti amë që kujdeset për shqiptarët në Ballkan.
1. Më së miri faktin që Kosova po bahet shteti amë i shqiptarëve na e tregon Lugina e Preshevës e cila edhe zyrtarisht përfaqësohet nga Kosova, anipse Shqipnisë i takon edhe simbas Kushtetutës së vet. Bile, kaq larg ka shku kjo lidhja e Kosovës me Preshevën saqë dje edhe raportusja për Kosovën Viola Von Cramon foli për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Imagjino, raportusja për Kosovën flet edhe për Preshevën si me kanë Lugina pjesë e Kosovës, apo Kosova shteti amë i saj.
2. Tetova dhe pritja e Kryeministrit Kurti në Tetovë dhe në Maqedoni na e kallxon që Kosova e ka të njejtin imazh edhe në Maqedoni. Ndërkohë Shqipnia si “shteti amë” i shqiptarëve e gëzon njëfar respekti artificial simbas detyrës zyrtare siç e ka të përshkrume në Kushtetutë.
3. Kulmi mendoj është shpërndarja e kangës Mora Fjalë në pothujse çdo event të Shqipnisë. Para se me folë për Shqipninë, po du me kthy në vëmendje qysh kanga Mora Fjalë në Kosovë pat fillu me u shndërru në njifarë himni të revoltës kundër regjimit, i cili përfaqësonte të kundërtën e andrrës së heronjve për Kosovën. “Çohu Adem” ishte për vite me radhë thirrja që Ademi si një simbol i pakontestushëm me ardhë e me na çliru edhe niher prej atyne që në emër të tij ia bajshin 100 të zeza venit. Tash në Kosovë kjo kangë është thjesht kangë e lavdisë së atyne që janë sakrifiku që na me e gëzu këtë që e kemi, ma në fund nji shtet që po shkon drejt prosperimit.
Këndimi i kësaj kange në atë mënyrë si u këndu mram në Tiranë, veçanërisht në fund të lojës, prej gjoksit, prej zemre, nga tifozët e zyrtarët e federatës së futbollit atje, bashkë me krejt ekipin, është diçka e papritshme. Kjo mundet me pasë kuptim vetëm në saje të shprehjes së nji revolte, meqë në Shqipni shumë pak e hiç është e mundun me iu kundërvu regjimit. Madje, udhëheqësit e Federatës atje urrehen nga regjimi aktual i Ramës dhe Veliajt. Kosova ngadalë po i ndrron rolet me Shqipninë dhe Kosova po fillon me u ba edhe shteti amë i shqiptarëve në Shqipni. Kjo për faktin se institucionet demokratike të Kosovës janë natyrshëm armik i regjimit të atjeshëm dhe kushdo që është me Kosovën atje është edhe kundër Edi Ramës, sepse Edi Rama është origjinalisht kundër Kosovës dhe arritjeve kosovare. Ekzistenca e Kosovës në formën e vet aktuale është e kundërta e regjimit të Shqipnisë i cili është anti-demokratik, anti-lirisë së shprehjes, anti-qytetarëve të vet dhe në shërbim të oligarkëve të pasun. Ndërkohë në Kosovë është krejt e kundërta, oligarkët janë në zor prej Qeverisë.
Për me ma vërtetu këtë që po e them më duhej veç edhe me ditë a e përjeton Edi Rama kështu siç po e them unë. Se për dallim prej nesh ai e vëren ma mirë kend e ka kundër. Këtë ma vërtetoi sot në mëngjes. E postoi videon me momente nga loja e djeshme e cila u dominu prej kangës Mora Fjalë. Por, Edi Rama, mjeshtri i marrëdhanieve me publikun, videos nga loja e mbramshme ia bashkangjiti tingujt e nji kange tjetër, “Jemi Një” të Elvana Gjatës. Si ka mundësi që mjeshtri i marrëdhanieve me publikun nuk diti me ia bashkëngjit kangën e duhun videos së prodhume? Natyrisht që ai e din këtë ama janë dy arsye pse ai nuk e bën këtë: 1. për të është e papranushme invazioni i asaj që është kosovare në Shqipni, sepse sa ma shumë që forcohet kosovarizma aq ma tepër forcohet kundërshtia ndaj tij, dhe 2. sepse Mora Fjalë është ekskluzivisht revoltë ndaj atyne që nuk angazhohen për çashtjen kombëtare, sidomos kundër atyne që janë shokë të Aleksandër Vuçiçit.
Mora Fjalë mundet me qenë prapavija muzikore e transformimit të identitetit kombëtar shqiptar ku Kosova është qendra, shteti amë, ndërkaq shtetet tjera ku banojnë shqiptarët, përfshi Shqipninë, pjesët e mbetuna jashtë tij pa nevojën për me u bashku me të.
Ky është opsioni i vetëm që mundet me e kthy Kosoën nga drejtimi i ndërtimit të një identiteti të mirëfilltë kombëtar të bazum në vlera moderne të kombformimit pa i lanë anash konsideratat etnike.