720 asistentë arsimor do të punësohen nëpër shkolla

Në Maqedoninë e Veriut për  vitin e ri akademik 2022-2023 do të punësohen gjithsej 720 asistentë arsimor, kurse shpalljet publike për regjistrimin e të interesuarve do të publikohen në ditët në vijim nga shkollat ​​fillore , njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Shërbimi i asistencës arsimore u fut si detyrim i shtetit i rregulluar me ligj. Domethënë, punësimi i asistentëve do të jetë në shërbim për nxënësit me nevoja të veçanta që vijojnë mësimin në shkollat ​​e rregullta fillore.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se vitin e kaluar shkollor janë punësuar 500 asistentë, nga të cilët 260 në rajonin e Shkupit, Kumanovës dhe Pollogut dhe 240 asistentë në tre rajonet e tjera.

Në shpalljet mund të aplikojnë të gjithë personat të cilët kanë përfunduar arsimin për: edukator special dhe rehabilitues, pedagog, psikolog, punëtor social, pedag social dhe rehabilitues, si dhe të gjithë atë të cilët i plotësojnë kushte për mësimdhënës të grupit klasor dhe lëndor. 

 Asistentët arsimorë do të fokusohen në sigurimin e arsimit cilësor për nxënësin përmes bashkëpunimit me mësimdhënësit  dhe prindërit / kujdestarët, bashkëpunëtorët profesional  dhe ekipin gjithëpërfshirës i cili kujdeset për nxënësit. Njëkohësisht, ata duhet të inkurajojnë bashkëpunimin midis fëmijëve dhe bashkësisë.

Të ardhurat mujore sipas njoftimeve janë 24,208 denarë. Prej gjithësej 40 orëve në javë , asistentët duhet 20 deri 30 t`i kushtojnë mbështetje të drejtëpërdrejt nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa pjesën tjetër për përgatitjen dhe organizimin e punës së tyre.

 Përveç njoftimeve nëpër mediet publike, shpalljet do shpallen  edhe në internet faqen e Shkollave publike me qendër me resurse.