78-vjeçari nga Gostivari i internuar në Seman, shkroi 130 letra për riatdhesim

Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument, sipas të cilit një i burgosur nga ish-Jugosllavia del se ka kërkuar 130 herë ndihmë për të ikur sërish në vendlindje, vetëm që të shpëtojë nga regjimi komunist.

Shqiptarët nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të cilët emigruan për arsye politike në Shqipëri, u keqtrajtuan në mënyrën më të pabesueshme nga regjimi komunist i E.Hoxhës. Në kampet e Llakatundit, Semanit, si dhe në Shijak, ata kaluan në disa procese keqtrajtimesh e denigrimesh.

Nga kjo sjellje, shumë prej tyre kërkuan të riatdhesohen në Jugosllavi sepse regjimi i E.Hoxhës po u rezultonte më i keq se ai i Titos. Mjafton të vëresh letrat e shumta që shqiptarët emigrantë dërgojnë drejt udhëheqjes komuniste për të kuptuar se në çfarë mizerje ishin futur ata. Një rast i rrallë që dëshmon dëshpërimin e tyre ishte ai i 78 vjeçarit Rexhep Ajet Tahirit, nga Toplica e Gostivarit, i cili i shkruan plot 130 letra Enver Hoxhës në mënyrë që ta lejojë të largohet nga kampi i Semanit e të riatdhesohet. Tahiri kishte ardhur në Shqipëri më 15.1.1949. Nga viti 1957 e deri në vitin 1961 kur shkruan letrat e fundit, ai jetonte në kampin e Semanit. Megjithëse shkroi 180 letra, Partia e Punës nuk ndryshoi qëndrim për sjelljen e saj, ndaj emigrantit nga Gostivari.