Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski sot u dënua me 8 vjet burg nga Gjykata Penale për veprat penale keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash.
Gjykata ka obliguar edhe Rashkovskin së bashku me tre të dënuar të tjerë që brenda gjysmë viti ta kompensojnë dëmin që i kanë shkaktuar shtetit duke blerë një sistem dhe softuer në vlerë të përgjithshme prej rreth 190 mijë euro, përcjell INA.
Në të kundërt, garancia do të aktivizohet nga llogaritë e ngrira të pasurisë së të pandehurve dhe fëmijëve të mitur të ish-Sekretarit të Përgjithshëm. në llogarinë e të cilëve ka transferuar paratë e përfituara nga krimet.
Ndryshe, ky rast është i njohur në opinion si “Softueri”, që ka të bëjë me tenderët e kryer nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën kur në krye të sekretariatit ishte Rashkovski.
Aktakuza tregon për katër blerje si një sistem identifikimi biometrik, softuer për përcaktimin e shpejtësisë mesatare të automjeteve në komunikacion dhe shqiptimin e gjobave, kamera për njohjen e targave të automjeteve, kabina metalike për qëllime të sistemit të identifikimit biometrik dhe një sistem automatik të njohjes në targa.
Një pjesë e aktakuzës i referohej edhe pagesës së tarifave për personat e punësuar nga Rashkovski dhe një pjesë e parave kanë përfunduar tek ai.
Rashkovski dhe të pandehurit e tjerë prisnin një lirim nga akuzat sepse besonin se Prokuroria nuk arriti të vërtetonte asnjë nga pretendimet e saj. Në fjalën e tij përfundimtare, Rashkovski theksoi se “injoranca e prokurorit plus pushteti është e barabartë me tirani”. (INA)