A do mund ta mbajë Rama betimin: E vendos vetë kur iki!

0

Editorial MAPO.al

Problemi me Edi Ramën duket se është më shumë se kulturor, më i thellë, më problematik. E paska patur seriozisht, kur deklaroi në mënyrë informale në një takim, si punë batute me ata banorët para të cilëve gjasme jep llogari, se ai e di vetë kur do të ikë nga pushteti. Pra, e cakton ai kohën, momentin. Nuk do pres, vijoi, të më heqë populli. Kjo shtesa ishte për të vënë kinse në ekuilibër një fjali të frikshme, për ta balancuar. Sepse, çfarë bën çdo ditë, është vetëm pjesa e parë e shpalljes, ajo që: E caktoj unë kur iki. Duke e konsideruar politikën, kontratën me njerëzit si të ngrirë, pa jetë, sikur është dhënë një herë e përgjithmonë, Rama thotë do ta çoj mandatin deri në fund. Po ta shohësh, është e njëjta logjikë me të cilën nuk lejoi t’i vihej në dyshim drejtimi i PS, duke argumentuar se meqenëse kishte fituar zgjedhjet, s’mund të vihej në diskutim lidershipi i tij. Pra, meqenëse ka fituar zgjedhjet e 2017, askush mos ta çojë në mend të kontestojë qeverisjen.

Kjo në kushtet kur nuk ka një investim të huaj, kur kriza ekonomike është thelluar, kur bizneset po mbyllen përditë, kur papunësia është në rritje, kur njerëzit janë të pashpresë, dhe ikin e ikin çdo ditë në Europë e ku të munden. Në një vend normal, edhe 2 muaj pas zgjedhjeve, nëse një qeveri dështon, shkon sërish para popullit, dhe qytetarët vendosin për fatin e saj. Sot jemi një vit e gjysmë nga triumfi i Ramës, dhe vendi shkon vetëm pas në çdo drejtim e krizat pjellin kriza. Po ai thotë, këto s’kanë rëndësi, se mandati qenka dhënë një herë, e nuk ndryshon.

Po për më tepër, faktet e nxjerra në dritë nga prokuroria, pra nga drejtësia, jo nga partitë humbëse, tregojnë se mandati i marrë në 2017, nuk është legjitim. Çdo shqiptar e di se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet, por këto ngelen fjalë derisa të provohen, qoftë edhe në një rast të vetëm. Dosja 339 tregon shumë më tepër se një votë të blerë. Tregon një rrjet të madh, një makineri kriminale që kokën e kishte në Durrës, dhe bishtin në Dibër. Po s’ka dyshim që të fortët e Shkodrës kanë bërë të njëjtën gjë si ata të Shijakut, si ata të Lezhës, si ata të Elbasanit, të Fierit, të Vlorës, e kudo. Çdo njeri që është në moshën kur ka fituar aftësinë për të kuptuar, e di këtë. Me mandat të cunguar në legjitimitet, me dështim në qeverisje, me ekonominë në gropë të zezë, Edi Rama, sërish shfaqet i vendosur se do ta çojë deri në fund.

Në cilën ditë, paska ndodhur që këtu sistemi demokratik, republika parlamentare, paska rënë, dhe njerëzve u janë hequr disa të drejta, si ajo më themelorja që ata e vendosin qeverinë, ata e largojnë, në cilën ditë pra Edi Rama qenka shpallur perandor, mbret, apo sulltan, dhe Shqipëria qenka bërë një ish-republikë e largët ruse, apo vend sub-saharian, kur lideri është i paprekshëm dhe ai e di vetë se kur do ikë nga pushteti, le të shkojnë punët dhe jeta e njerëzve në dreq. Situata është e rëndë. Edi Rama ka refuzuar vazhdimisht të shohë realitetin në sy, të dëgjojë njerëzit, hallet dhe kërkesat e tyre. Dhe sigurisht, ka refuzuar me arrogancë të dëgjojë Opozitën, duke e përqeshur, tallur dhe vënë në cep të ringut vazhdimisht.

Çfarë po ndodh sot, me zemërimin popullor në rritje, me vendimin in extremis që ka ndërmarrë opozita, me krizën e thellë e të paprecedentë politike, është e gjitha një master piece e Edi Ramës. Ai vetë ka dorën dhe penelin e tij në këtë panoramë shpërthyese. Siç duken bathët, nuk do ta mbajë dot atë premtimin epik, se e di vetë ai kur do ikë. Mund të ndodhë, që edhe ta heqin.