A do ta ndalojnë Zaevi e Ahmeti “murtajën e bardhë” që kapluar vendin?!

0

Gzim Islami/INA

Të rinjtë po e braktisin Maqedoninë e Veriut. Ky shtet po përballet me të ashtuquajturën “murtaja e bardhë”, e cila është e pandalshme dhe me përmasa shqetësuese.

Eksodi i trurit të ri është si rezultat i brishtësisë së shtetit, dominimit dhe indoktrinimit politik në çdo pore të shoqërisë dhe jetës së përditshme, anashkalimi i trurit dhe intelektualizmit si dhe dominimi i klasave mediokre politike.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore mbi “Migracionin dhe ikjen e trurit në Evropë dhe Azinë Qendrore” të botuar vitin e kaluar, vitet e fundit, rreth një e katërta e popullsisë ose afërsisht 500,000 njerëz janë larguar nga vendi.

Revista prestigjioze britanike ekonomike “Economist” e vendosi Maqedoninë në vendin e tetë pas ikjes së trurit, dmth emigrimin e njerëzve me arsim të lartë dhe të talentuar në botë.

Për gjendjen alarmuese të shpërnguljes së të rijve të arsimuar flet edhe dokumenti qeveritar që mban emrin
“Strategjia nacionale e lidhjes në rrjet, bashkëpunimit dhe uljes së shpërnguljes së kuadrove me arsim sipëror dhe kuadrove profesionale për periudhën 2013-2020”. “Rreth 30 për qind të kuadrove me arsim të lartë të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërs rreth 80 për qind të studentëve të viteve të fundit që studiojnë në fakultetet teknike mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia”, thuhet në strategjinë përkatëse.
Qeveria në programin e saj për 4 vitet e ardhshme thotë se detyra e saj kryesore do të jetë rikthimi i besimit të të rinjve në një të ardhme të caktuar dhe të sigurt në vend dhe për këtë arsye do të ndjekë politika për të rritur punësimin.

Për atë qëllim, Qeveria, siç thuhet në program, ndër të tjera, do të vazhdojë me pagimin e 3000 denarëve në muaj ndihmë rinore, si dhe imbursim të tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë të punësuarit e rinj nën 30 vjet. Gjithashtu parashikohen edhe shumë grante për të rinjtë të cilët fillojnë një biznes të ri.
Eksodi masiv i të rinjve në Maqedoni po vazhdon. Agjenci të shumta në Shkup për cdo ditë po ju rregullojnë vizat e punës të rinjvë, duke filluar nga mjekët deri tek zanatlinjtë e mirë, njofton agjencia e lajmeve INA.
Shumica shkojnë në Gjermani dhe vende tjera të Evropë për të siguruar një jetë më të mirë dhe me dinjitet. Mbetet të shihet nëse masat e qeverisë do të ketë efektë në parandalimin e këtij fenomeni.