Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se “koalicioni qeveritar është stabil dhe ka 65 deputetë”.
Ai u përgjigj lidhur me paralajmërimet e disa partnerëve më të vegjël të koalicionit se do të largohen nga shumica qeveritare nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Është normale që brenda koalicionit të ketë parti politike me qëndrime të caktuara që dallojnë ideologjikisht apo operacionalisht nga partitë e tjera politike, por në linjat kryesore politike të koalicionit qeveritar të gjitha kanë të njëjtin qëndrim”, tha kryeministri Kovaçevski.
Kryetari i Nderit dhe drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angellov, paralajmëron daljen e tij nga koalicioni qeverisës nëse nuk pranohet iniciativa e partisë për dëmshpërblimin e drejtë të pesëmbëdhjetë familjeve të “branitellave”, si dhe të tridhjetë invalidëve të luftës që nga viti 2001.
“Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer dhe të revoltuar nga deputetët e LSDM-së të cilët para disa ditësh votuan kundër propozim-ligjit për plotësimin e ligjit për “branitellat”. LSDM-ja ka mundësi ta korrigjojë këtë padrejtësi të madhe që ua bëri “branitellave” të Maqedonisë që nga viti 2001 duke marrë një vendim qeverie. Prandaj, në konferencën e sotme për media do të kërkojmë edhe një herë nga Qeveria që ta zbatojë iniciativën e nderit dorëzuar në dhjetor 2022 dhe të merret vendim për kompensim të drejtë për pesëmbëdhjetë familje të “branitellave”, si dhe për tridhjetë invalidë të luftës që nga viti 2001. Nëse iniciativa jonë refuzohet, do të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga LSDM dhe BDI”, shkruan Angellov ne Facebook. (INA)