Ende po vazhdon paqartësia nëse maturantët do t’i nënshtrohen ose jo provimit të maturës shtetërore, për shkak të grevës së punonjësve të Qendrës Shtetërore të Provimeve.
Të pakënaqur nga të ardhurat, punonjësit e kësaj qendre kanë ndërprerë të gjitha proceset që janë nën autoritetin e tyre, e me këtë edhe provimin përfundimtar të gjimnazistëve, nga i cili varet edhe regjistrimi në universitet, përcjell INA.
Nga Sindikata e punonjësve të kësaj qendre thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Financave, lidhur me rritjen e rrogave të tyre. Ata kanë bërë të qartë se derisa nuk marrin një përgjigje apo vendim konkret nuk do të realizojnë as testet ndërkombëtare dhe as provimin e maturës shtetërore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka theksuar se pret gjetjen e një zgjidhje dhe tejkalimin e kësaj situate që mban peng maturantët, të cilat janë të revoltuar nga kjo situatë. Deri më tani nuk dihet se a do të mbahet provimi i parë i maturës shtetërore në gjuhën amtare, që është caktuar më 27 maj. (INA)