A do të shkarkohet sekretari shtetëror nga radhët e BDI-së, ja përgjigja e ministres së Kulturës

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevski tha sot se do të presë nëse organet kompetente do t’ia gjejnë fajin sekretarit shtetëror të kulturës Valmir Aziri dhe pastaj do të vendos nëse do t’i propozojë kryeministrit Dimitar Kovaçevski shkarkimin e tij.

Kjo është përgjigja e ministrit në pyetjen e deputetit të VMRO-DPMNE-së Antonio Millososki se a do të propozojë shkarkimin e Azirit i cili pas incidentit në Komisionin për Çështje Evropiane përmes një postimi në rrjetet sociale i doli në krah deputetit të BDI-së, Arbër Ademi dhe shkroi një porosi se “Një antishqiptar si Antonio Milososki meriton më shumë. Iku koha e shitësve të mjegullës. Brezat e rinj të shqiptarëve do të thyejnë krahët dhe këmbët e të gjithë atyre që do të përpiqen të përçmojnë shqiptarët”.

“Meqë çdo anëtar i Qeverisë ka të drejtë t’i propozojë kryeministrit emërimin e sekretarit të shtetit, a do të ishte e këshillueshme që të propozohej shkarkimi i Valmir Azirit për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme që promovon gjuhën e urrejtjes”, pyeti deputeti Milloshoski.

Ministrja Kostadinovska Stojçevska tha se para se të përgjigjet në pyetjen dëshiron të thotë se e dënon dhunën, por edhe se nuk e arsyeton dhunën e drejtuar komisioneve parlamentare ndaj deputeteve të LSDM-së dhe BDI-së Snezhana Kalevska Vanceva dhe Arta Biljali Zendeli. Ajo shtoi se si ish-deputete ka qenë dëshmitare e gjithçkaje që ka bërë VMRO-DPMNE në Kuvend.

“Ju vetë keni bërë kallëzim dhe nëse konstatohet një krim do të marr një vendim përkatës, por kam një pyetje për ju”, tha ministri. Për këtë ka reaguar nënkryetari i Kuvendit Goran Misovski, i cili i ka treguar ministrit se në seancën për pyetje parlamentare ministrat përgjigjen, e nuk bëjnë pyetje.

Milloshoski falënderoi Misovskin për reagimin dhe shtoi se nuk është i kënaqur me reagimin e ministrit. (INA)