A duhet të ndalohen “filtrat” në mediat sociale?

INA
INA

17/05/2023

Norvegjia ka prezantuar një ligj në vitin 2021 që kërkon që dy grupe të mediave sociale të tregojnë nëse një fotografi është ndryshuar. Franca tani po shkon një fazë më tej, dhe është në proces duke kërkuar të njëjtën kërkesë, por për foto dhe video. Ndërkohë, Britania e Madhe po merret tani me të njëjtën çështje

Çështja e manipulimit të fotografive në mediat sociale ka qenë prej kohësh një shqetësim për shumë njerëz, por me teknologjinë që tani po shtrihet gjithnjë e më shumë në video, a duhet të ndërhyjnë autoritetet?

Krystle Berger këmbëngul se ”nuk po ndryshon në mënyrë drastike tiparet” kur poston foto dhe video në Instagram, TikTok dhe Facebook. “Unë me të vërtetë thjesht po i jap vetes në mënyrë digjitale grimin dhe ndriçimin perfekt”, ka thënë ajo.

Një nënë e re nga shteti amerikan i Indianës, zonja Berger, paguan për t’u abonuar në një aplikacion të quajtur FaceTune, që është shkarkuar më shumë se 200 milionë herë në mbarë botën.

Aplikacioni i lejon përdoruesit që të bëjnë ndryshime delikate në pamjen e tyre të fytyrës, të tilla si zbehja e rrudhave, ose si alternativë – të transformojnë plotësisht pamjen e tyre. Për shembull, ata mund të ngushtojnë fytyrën, të ndryshojnë formën dhe madhësinë e syve të tyre ose t’ia bëjnë vetes një operacion digjital të hundës.

Fillimisht i aftë për të punuar vetëm me foto, dy vjet më parë FaceTune ka lansuar një version për video të shkurtra selfie, që është rritur gjithnjë e më shumë në efektivitetin e tij që atëherë.

Ndërkohë, një tjetër aplikacion i njohur që lejon përdoruesit të ndryshojnë fotot e tyre të mediave sociale – Perfect365 – do të lansojë versionin e tij më vonë këtë vit.

FaceTune është në pronësi të firmës izraelite “Lightricks” dhe dy vjet më parë kompania u raportua të kishte një vlerësim prej 1.8 miliardë dollarësh.

Themeluesi i “Lightricks”, Zeev Farbman, ka thënë se “emri i lojës” po e bën aplikacionin të funksionojë sa më lehtë. “Ju dëshironi t’u jepni njerëzve 80% të fuqisë, me 20% të kompleksitetit të softuerit profesional. Kjo është loja që ne po përpiqemi ta luajmë”.

Ndikimi i filtrave

Por prej kohësh është argumentuar se mjete të tilla janë të pashëndetshme, në atë që promovojnë një pamje joreale të bukurisë që mund të jetë e rrezikshme, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që ndikohen. Për shembull, 80% e vajzave adoleshente thanë se kishin ndryshuar pamjen e tyre në një foto në internet deri në moshën 13-vjeçare, sipas një sondazhi të vitit 2021 nga marka e kujdesit të lëkurës “Dove”.

Teksa askush nuk po bën thirrje që teknologjia të ndalohet, ka pasur lëvizje në rritje për të detyruar reklamuesit dhe ndikuesit e mediave sociale – njerëz që shpesh paguhen për të promovuar produktet në një mënyrë më informale – të pranojnë kur kanë ndryshuar imazhin e tyre fizik.

Norvegjia ka prezantuar një ligj në vitin 2021 që kërkon që këto dy grupe të mediave sociale të tregojnë nëse një fotografi është ndryshuar. Franca tani po shkon një fazë më tej, dhe është në proces duke kërkuar të njëjtën kërkesë, por për foto dhe video.

Ndërkohë, Britania e Madhe po merret tani me të njëjtën çështje, pasi Projektligji i Qeverisë për Sigurinë në internet vazhdon të kalojë nëpër Parlament. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ligji do të synojë vetëm reklamat në mediat sociale, apo edhe influencuesit.

Një zëdhënës i Departamentit të ri për Shkencën, Inovacionin dhe Teknologjinë ka thënë se Qeveria njeh kërcënimin që mund të paraqesë përmbajtja e manipuluar në mënyrë digjitale dhe e merr çështjen shumë seriozisht”.

Mendimet e ekspertëve

Deputeti konservator Luke Evans ka bërë një fushatë prej kohësh që reklamuesit dhe ndikuesit ta pranojnë kur kanë ndryshuar një imazh në mediat sociale.

Ai dëshiron të shohë që ligji i ri “të përmbajë rregullore të vërtetuara në të ardhmen”, kështu që kërkon gjithashtu të njëjtin pranim për videot e ndryshuara dhe çdo zhvillim tjetër teknologjik.

“Është e domosdoshme që ne të kemi ndërgjegjësim më të gjerë dhe transparencë më të madhe rreth këtyre teknologjive të reja”, ka theksuar ai. “Për mua kjo ka të bëjë me ndershmërinë”.

Përgjigjja e zotit Farbman është se ndërsa “kjo bisedë ishte gjithmonë e pranishme… me kalimin e kohës pranimi i këtyre mjeteve thjesht rritet”. Ai shton se është çështje e fjalës së lirë. “Është gjithmonë disi e çuditshme për mua që një kompani vendos ta kufizojë lirinë shprehëse të përdoruesve të saj, për shkak të ndjeshmërive estetike apo etike”.

Sean Mao, shefi ekzekutiv i Perfect365 me qendër në San Francisko, u bën thirrje njerëzve të përdorin aplikacionin e tij “në një mënyrë të sigurt dhe etike”. “Ne duhet t’i inkurajojmë njerëzit që të përdorin aplikacionin për të shprehur kreativitetin e tyre dhe të mos e përdorin aplikacionin me qëllime dashakeqe për të mashtruar të tjerët ose për ta keqpërfaqësuar veten”, ka shtuar ai.

Psikologu Stuart Duff ka thënë se disa ndikues të mediave sociale gjithmonë do të tundohen t’i përdorin hilet për ta përmirësuar pamjen e tyre në internet – sepse të qenit i bukur shitet.

“Tërheqja fizike ka një ndikim shumë të fortë, por shpesh të pavetëdijshëm në vendimet tona kur bëhet fjalë për blerjen e produkteve dhe shërbimeve nga të tjerët”, ka thënë ai.

“Kur pyetemi se çfarë ka më shumë rëndësi, ne me vetëdije flasim për rëndësinë e paraqitjes fizike dhe flasim për cilësi të tilla si inteligjenca, vlerat dhe personaliteti, megjithatë kërkimet psikologjike zbulojnë vazhdimisht një marrëdhënie të fortë pozitive midis atraktivitetit të një personi dhe aftësisë së tyre për “t’u shitur”.

Një ndikues i mediave sociale që quhet Brandon B ka 5.6 milionë abonentë në YouTube. Ai mendon se aplikacionet e manipulimit të fotove dhe videove duhet të shihen në një anë pozitive.

“Më vjen mirë që ekzistojnë këto aplikacione, sepse mendoj se ka shumë njerëz që nuk janë mjaft pozitivë për t’u paraqitur në mediat sociale, kështu që mund të ndihen të lënë anash”, ka theksuar ai. “Këto mjete i ndihmojnë ata të futen në mediat sociale”.

Megjithatë, dr. Shira Brown, mjeke në Spitalin South Niagara, në Ontario, Kanada, ka shpjeguar se “perceptimet e shtrembëruara të imazhit të trupit” duket se po “përkeqësohen nga praktikat e zakonshme të mediave sociale”.

“Ne shohim pasojat urgjente të shëndetit mendor të mediave sociale në departamentet tona në baza ditore, të tilla si ankthi, mendimet për vetëvrasje dhe depresioni”, ka treguar ajo.

Përktheu: Blerta Haxhiu

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

google

Google investon 600 milionë euro për ruajtjen e të dhënave

tik tok

Shpallet vendimi për mbylljen e TikTok-ut në SHBA

whats-up

WhatsApp po krijon një opsion të ri që përdoruesit të ndajnë imazhe, dokumente etj pa qenë të lidhur me interneti

insta-600x360

Meta integron një chatbot të AI në mesazhet në Instagram

tik tok

TikTok thotë se do ta luftojë ndalimin ose shitjen e detyruar nga SHBA-ja

samsung

Samsung po punon në telefonin e ri Galaxy S24 FE, prite të dalë në treg këtë vit

tik tok

BE kërcënon të bllokojë TikTok Lite: Krijon varësi po aq sa cigaret!

tik tok

TikTok sfidon Instagramin! Gjiganti i rrjeteve sociale bën gati aplikacionin e ri

google maps

Veçoria e ardhshme e Google Maps ju dërgon në destinacionin e dëshiruar pa pasur nevojë për internet

INFO

NA NDIQ