A i rrezikon inteligjenca artificiale vendet e punës?

INA
INA

24/01/2024

Në një raport të titulluar “Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e punës”, FMN-ja paralajmëroi se IA-ja mund të ndikojë deri në 40 për qind të vendeve të punës në nivel global, veçanërisht në rolet e bazuara në zyrë.
A i rrezikon inteligjenca artificiale vendet e punës? / Foto: AA

Inteligjenca artificiale po evoluon me shpejtësi dhe po riformulon jetën njerëzore, ndërkohë ekspertët thonë se ajo është gati të shkaktojë një ndryshim sizmik në ekonominë globale dhe tregun e punës, një transformim në të njëjtin nivel me Revolucionin Industrial.

Si një fushë me zhvillim të shpejtë, IA-ja është simulimi i proceseve të inteligjencës njerëzore nga makineritë që janë të afta për të mësuar, përshtatur dhe madje tejkaluar aftësitë njerëzore në detyra të caktuara.

Ndikimi i saj në sektorë të ndryshëm, nga kujdesi shëndetësor deri te financat, po rrit interesin, së bashku me shqetësimet për potencialin e saj për të riformuar botën tonë, veçanërisht në disa fusha të punësimit.

Në një raport të fundit të titulluar “Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e punës”, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëroi se IA-ja mund të ndikojë deri në 40 për qind të vendeve të punës në nivel global, veçanërisht në rolet e bazuara në zyrë. Sipas FMN-së, ky zëvendësim mund të përkeqësojë pabarazinë në të ardhura.

“AI është vendosur të ndryshojë thellësisht ekonominë globale, me disa komentues që e shohin atë si një revolucion të ri industrial”, theksoi FMN-ja.

Philip Torr, një profesor i shkencës inxhinierike në Universitetin e Oksfordit, thotë për Anadolu se në planin afatmesëm fillimisht do të ketë një ndryshim në vendet e punës, me shumë njerëz që do të kalojnë nga krijimi i përmbajtjes në kurimin ose monitorimin e përmbajtjes nga IA-ja.

Torr thekson se punët e zyrës do të preken më së shumti në këtë fazë, ndërsa ato vende të punës që kërkojnë kontakt njerëzor, si kujdestarët dhe parukierët, do të ndikohen më pak.

“Nëse arrijmë te inteligjenca artificiale e përgjithshme, atëherë makinat do të jenë më të zgjuara se ne. Nëse zhvillojmë robotë me performancë të nivelit njerëzor, atëherë makinat do të jenë në gjendje t’i bëjnë të gjitha punët që bëjnë njerëzit. Elon Musk tashmë po mburret se do t’i largojë të gjithë nga puna”, thotë Torr, duke komentuar efektet e mundshme afatgjata nga AI në punësimin global.

Në një raport tjetër ku u anketuan mbi 2.700 ekspertë, studiuesit e Universitetit të Oksfordit parashikuan se IA-ja përfundimisht mund të automatizojë gjithë punën njerëzore deri në vitin 2116.

Miratimi i gjerë i inteligjencës artificiale gjeneruese (GenAI), i ilustruar nga shfaqja e ChatGPT-së, po përshpejton ritmin e këtij transformimi.

Profesionistët po përdorin gjithnjë e më shumë mjetet GenAI, të tilla si ChatGPT dhe Google’s Bard, për detyra që përfshijnë krijimin e tekstit krijues dhe gjenerimin e kodeve.

Në sektorin financiar, IA-ja tashmë po tejkalon aftësitë njerëzore në analizën e tregut, ndërsa dizajnerët grafik po përballen me konkurrencë të drejtpërdrejtë nga arti i gjeneruar nga IA-ja.

“Nëse është kështu, ne duhet të rimendojmë se kush zotëron. Në këtë pikë, IA-ja do të duhet të bëhet në pronësi publike dhe në pronësi të të gjithëve dhe ne të mund të arrijmë një utopi ku njerëzit nuk do të duhet të punojnë nëse nuk duan… Unë e quaj këtë utopi të IA-së, por ajo do të kërkojë braktisjen e kapitalizmit, pasi do ta ketë mbijetuar dobinë e tij”, shpjegon Torr.

Disa vende pune mund të pushojnë së ekzistuari

Andrew Rogoyski, drejtor i inovacionit dhe partneriteteve në Instutitin Surrey për Inteligjencën Artificiale të Përqendruar te Njerëzit pranë Universitetit Surrey, thekson se e vërteta është se askush nuk e di se cili do të jetë ndikimi i GenAI-së në afat të gjatë.

“Ka profesione që do të pushojnë së ekzistuari pas disa vitesh. Ne nuk mund të presim nga një punë për gjithë jetën. Në vend të kësaj, do të na duhet të mësojmë aftësi të reja dhe të përshtatemi derisa teknologjitë ndryshojnë botën e punës”, thotë Rogoyski.

Ai thekson se nisja e ChatGPT-së ka treguar potencialin e hershëm të GenAI-së dhe tashmë ka ndikuar në profesione, midis atyre që janë prekur duke emëruar gazetarinë, shkrimet e skenarit, administratën, ligjin dhe dizajnin grafik.

Duke theksuar se është befasuese të shohësh se GenAI-ja ndikon në punët kreative, Rogoyski shprehet: “Ne kishim supozuar se punët manuale me aftësi të ulëta do të preken së pari, me punët profesionale me jakë të bardhë që shiheshin si të sigurta. Në fakt, e kundërta duket se të jetë e vërtetë, me punët fizike dhe artizanale që rezultojnë të jenë më të sigurtat”.

FMN-ja vlerëson se rreth 60 për qind të të gjitha vendeve të punës mund të ndikohen nga IA-ja në ekonomitë e përparuara.

Rogoyski thotë se derisa afërsisht gjysma e vendeve të cenueshme të punës mund të përfitojnë nga integrimi i IA-së, duke rritur produktivitetin, për gjysmën tjetër aplikacionet e IA-së mund të ekzekutojnë detyra kyçe të kryera aktualisht nga njerëzit, të cilat mund të ulin kërkesën për punë duke çuar në paga më të ulëta dhe ulje të punësimit.

“Në rastet më ekstreme, disa nga këto punë mund të zhduken”, paralajmëron ai.

Më tej, ai shton se duhet të theksohet se IA-ja vite që kur është shfaqur, ka përmirësuar kujdesin shëndetësor, zhvillimin e mjekësisë, zbulimin e materialeve dhe logjistikën, derisa ka mundësuar kërkimet në internet.

“AI nuk është diçka e re, por ndikimi i saj po përshpejtohet shpejt. Kur përdorim IA-në, ndoshta duhet të mendojmë për faktin se GenAI drejtohet kryesisht nga një pjesë e vogël e kompanive të mëdha amerikane. Ne nuk kontrollojmë se çfarë zhvillojnë ose si e përdorin teknologjinë. Kjo do të jetë një shkak për shqetësim në mesin e shumë qeverive që kanë prirje të ruajnë sovranitetin e ekosistemeve të tyre digjitale”, shpjegon Rogoyski.

Avantazh për njerëzit që kanë aftësi me IA-në

Usama Fayyad, drejtor ekzekutiv i Institutit për Inteligjencën Artificiale Eksperienciale në Universitetin Northeastern, beson se derisa bota bëhet gjithnjë e më digjitale, mundësia që AI dhe algoritmet të luajnë një rol bëhet gjithnjë e më e lehtë.

Duke krahasuar zhvillimet e shpejta në AI me zbulimin e telefonave celularë, Fayyad thotë: “Ishte shumë i shënjestruar drejt biznesit dhe komunikimeve me prioritet të lartë. Por gjeje çfarë… ata u bënë instrumente të shkëlqyera për përhapjen e thashethemeve dhe mediave sociale dhe të gjitha llojeve të gjërave që askush nuk i kishte menduar më parë. Pra, unë mendoj se do të shohim një efekt të ngjashëm këtu. Derisa njerëzit familjarizohen me teknologjinë dhe aftësinë, ajo do të gjejë mënyra të reja që ishin të pa imagjinuara më parë”.

I pyetur se si AI mund të ndikojë në peizazhin global të vendeve të punës, Fayyad jep shembullin e aftësive të kërkuara më parë dhe tani si kontabilist. Ai shtoi se një kontabilist 60 vjet më parë duhej të kishte një shkrim të mirë dore, aftësi të mira shtesë dhe të ishte i aftë me librin e llogarive.

“Nëse pyesni për profesionin sot, shumica e atyre aftësive për të cilat fola janë të pa rëndësishme. Shkrimi juaj i dorës nuk ka rëndësi. Aftësia juaj për t’u marrë me librat e llogarive nuk ka rëndësi. A kemi më pak kontabilistë sot apo më shumë? Dhe përgjigja është se sot kemi më shumë kontabilistë sesa kemi pasur në historinë e qytetërimit njerëzor”, thekson ai.

Duke shpjeguar se automatizimi mundësoi demokratizimin e një funksioni të caktuar, duke e bërë atë të rëndësishëm për bizneset më të vogla, Fayyad thotë se departamentet dhe organizatat e shkallës më të vogël, si dhe individët, tani kanë qasje në aftësitë e kontabilitetit, duke bërë që të nevojiteshin edhe më shumë kontabilistë tani se më parë.

“Njerëzit më pyesin gjatë gjithë kohës… A do ta zëvendësojë AI punën time? Dhe përgjigja ime është absolutisht jo. AI nuk do të zëvendësojë punën tuaj. Por një njeri që përdor AI do të zëvendësojë punën tuaj nëse ju nuk e përdorni atë”, shprehet Fayyad.

Po shfaqen punë dhe profesione të reja

Daria Fokina, shefe ekzekutive e laboratorit të inteligjencës artificiale Fokina.AI, thotë se vetëm për shkak se AI do të prekë 40 për qind të fuqisë punëtore nuk do të thotë aspak se AI do të zëvendësojë njerëzit në pozicionet e tyre.

“AI nuk po i eliminon vendet e punës, por po i transformon ato. Punonjësit delegojnë detyrat rutinë në rrjetet nervore, por kreativiteti dhe përgjegjësia për vendimet janë ende prerogativë e njerëzve”, thekson Fokina.

Duke theksuar se vendet e punës që përfshijnë detyra monotone të zyrës janë nën kërcënim për shkak të zhvillimit të GenAI-së, ajo thotë se vendet e punës për shkrimin e teksteve, përgatitjen e dokumenteve dhe analizimin e të dhënave të mëdha janë “shumë të cenueshme” ndaj kësaj.

Duke komentuar se çfarë lloj pune mund të mbrohet më shumë nga AI, Fokina thotë: “Asnjë. Për analogji, mund të pyetet ‘Cilat profesione mund të mbrohen nga kompjuteri ose interneti’. AI është, para së gjithash, një mjet që i çliron punonjësit nga puna rutinë për të zgjidhur detyrë më të rëndësishme. Ne tashmë mund të vërejmë një kërkesë të shtuar për specialistë në fushën e zhvillimeve të rrjeteve nervore, inxhinierë ML, analistë të dhënash, zhvillues softuerësh, specialistë të mësimit të makinerive”.

Ajo shton se po shfaqen gjithashtu profesione krejtësisht të reja si inxhinierë të shpejtë, neuro-kopjues dhe dizajnerë gjenerues.

“Mund të pritet që kërkesa për zhvillues të AI-së vetëm do të rritet dhe numri i profesioneve të reja do të rritet”, thekson ajo.

Krye-ekonomisti ndërkombëtar i firmës globale të shërbimeve financiare ING, James Knightley, po ashtu thotë se punëtorët manual shumë të aftë do të jenë kandidatët më të mundshëm për t’u izoluar nga AI. Ai shton se edhe atëherë AI mund të jetë në gjendje të përdorë dhe zhvillojë strategji optimizmi që mund t’i bëjnë edhe ato role të cenueshme.

“Mendoj se të gjithë duhet ta pranojnë se punët e tyre do të ndryshojnë në një farë mënyre dhe ata që e përfqafojnë këtë fakt dhe janë të gatshëm të angazhohen dhe të mësojnë se si ta përdorin atë në mënyrë efektive, padyshim se do të përfitojnë më shumë ose të paktën do të ndikohen më pak”, thekson Knightley.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

iphone- telefon mobil

OnePlus prezanton telefonin e ri i cili nuk mbështetet nga Inteligjenca Artificiale

Apple-1

Apple paralajmëron përdoruesit: Mos e thani kurrë telefonin në oriz

hena

SHBA rikthehet në Hënë pas 50 vjetësh

DASH departamenti amerikan

SHBA ofron 15 milionë dollarë kush jep informacion rreth liderëve të Lockbi

whatsapp-main-600x360

WhatsApp ndalon ‘screenshot’ për profilet: Si funksionon dhe çfarë ndryshon

tesla-model-3-behet-makina-elektrike-me-e-shitur-ne-evrope_5ca31f5e2e44d

Mijëra punësime të reja e miliona investime në inteligjencë artificiale

Pacienti i parë në botë me çip në tru fiton “superfuqi”

iphone- telefon mobil

Si të “shëroheni” nga varësia ndaj telefonit?

kompjuter

“Besimi te shkencëtarët”, studimi i shtrirë në 67 vende e rendit Shqipërinë të fundit

INFO

NA NDIQ