Aspartami, acesulfami K dhe të ngjashme po e tejkalojnë sheqerin industrial në listën e përbërësve ushqimorë. Por, a janë vërtet ato zgjedhja më e mirë? OBSH e klasifikon aspartamin si “me gjasë kancerogjen”.
Ëmbëlsuesit premtojnë kënaqësi të ëmbël pa kalori dhe pa ndjenjë faji Foto: Imago/teutopressFotografi: Franziska Gabbert/dpa/picture alliance
Togfjalëshi “pa sheqer” është aktualisht më i preferuari i marketingut të industrrisë ushqimore. Për dekada të tëra, sheqeri ka qenë mbreti i shijes, por tani ai po sfidohet nga ëmbëlsuesit. Po të shikojmë përbërësit e një limonade pa sheqer, do të vëmë re se në listën e përbërësve vërtet që nuk ka sheqer, por ka shumë ëmbëlsues. Ato quhen E950, E951 ose E954. Prapa këtyre shkronjash e shifrash janë komponimet e prodhuara në mënyrë sintetike si acesulfam K, aspartam dhe sukralozë.
Ëmbëlsuesit janë deri në 500 herë më të ëmbël se sheqeri
Ëmbëlsuesit i përkasin kategorisë së aditivëve të ushqimit. Pse janë kaq të përhapura është e lehtë për t’u shpjeguar. Ato janë praktikisht pa kalori dhe fuqia e tyre ëmbëlsuese është shumë herë më e lartë se sheqeri i mirëfilltë, kështu që nevojiten vetëm disa miligramë për të lezetuar shijen e ushqimeve të reduktuara në kalori. Aspartami, për shembull, është 200 herë më i ëmbël se sheqeri, sukraloza madje 500 herë më e ëmbël.
A janë aspartami dhe ciklamati kancerogjene?
Megjithatë, shkencëtarët janë më kritikë ndaj ëmbëlsuesve. Shumë syresh thonë se ëmbëlsuesit janë kancerogjene. Sidomos ciklamatet. Në një studim me minj, pas ushqimit me doza të larta ciklamatesh, te shumë prej kafshëve u zhvillua kanceri i fshikëzës. Megjithatë, rezultatet nuk ishin të transferueshme te njerëzit, sepse njerëzit nuk i konsumojnë ëmbëlsuesit në doza kaq të larta, si në eksperiment.
Që nga korriku i 2023-ës, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar aspartamin një ëmbëlsues “me potencial kancerogjen”. Megjithatë, pranon IARC, dëshmitë shkencore për këtë vlerësim janë ende të pakta.
Por duke qenë se nga studimet e qelizave te kafshët si dhe studimet vëzhguese te njerëzit, janë vënë re disa tregues mbi ekzistencën e rrezikut të mundshëm të kancerit, është e nevojshme të ketë një përshkrim të rrezikut, thotë Stefan Kabisch, studiues në Klinikën për Endokrinologji dhe Mjekësi Metabolike në Charité në Berlin. “Klasifikimi i aspartamit si ‘me potencial kancerogjen’ ka shumë pak gjasa të ndryshojë përdorimin tonë të përditshëm. Klasifikimi është shumë i kujdesshëm,” shton Kabisch.