A ka një pakt Thaçi-Vuçiq për kufijtë? Plani B dhe katër pyetje pa përgjigje!

0

Nga Andi Bushati/

Debati i hapur beftas për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë po merr në trojet shqiptare një rrjedhë të shtrembër, duke degraduar në një pozicionim të shëmtuar, pro ose kundër Hashim Thaçit. Dhe kjo po ndodh totalisht për fajin e tij dhe strategjisë që ai ka zgjedhur për të monopolizuar nga A në Zh këtë proces.

Po të shikohen në perspektivë qëndrimet e presidentit të Kosovës, ato të japin përshtypjen se më shumë sesa për një zgjidhje afatgjatë të një çështjeje kaq delikate, ai po përpiqet më shumë për rolin e tij si protagonist.

Pa u konsultuar paraprakisht pothuajse me asnjë nga faktorët në lojë, ai shpalli papritmas idenë e rishikimit të kufirit me “armikun tradicional”.

Në një operacion të koordinuar të komunikimit me publikun, ai i foli shqiptarëve pothuajse në të njëjtën kohën me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, gjë që të linte përshtypjen e një skenari të përgatitur paraprakisht.

Ai vendosi në mënyrë personale termat mbi të cilat do të negociohet, duke treguar atë që Kosova do të marrë (Luginën e Preshevës) dhe atë që nuk do të dorëzojë kurrsesi.

Madje, në mënyrë absurde dhe pa dhënë shpjegime, në një intervistë me Mero Bazen, ai pohoi se mban në kokën e vet edhe një plan “B”, nëse pakti me Serbinë nuk arrihet.

Sikur, të gjitha këto të mos mjaftonin, ai u vërsul në një sulm hipokrit dhe të pa princip kundër Berishës, duke dëshmuar se më shumë se njollat e dikurshme në historinë politike të ish-presidentit (të cilat vetë i kishte amnistuar me kohë) ai është i predispozuar të tulasë çdo zë që i del kundër vullnetit të tij, për të bërë edhe luftën edhe paqen edhe diellin edhe shiun.

E gjitha kjo vijë sjelljeje, prej autokrati tipik, më shumë sesa hapja e një debati për thelbin e problemit, ka ngjallur paranoja, mosbesim dhe kundërshti, që nga politika e Tiranës e deri tek aleatët e vet qeverisës.

Ajo ka ngritur disa pyetje që mbeten pa përgjigje.

Pse Thaçi dhe Vuçiq folën të sikronizuar? A kanë atë një pakt paraprak të panjohur deri më tani?

Mbi ç‘bazë presidenti i Kosovës e garanton popullin e vet se “do ta mundë Serbinë si në luftë”, duke marrë territore pa dhënë asgjë në këmbim?

Po ky plan “B”, i pa konsultuar me kërkënd që flika vetëm në kryet e tij, çfarë n’a qenka?

Po, tentativa për të mbytur çdo zë dhe mendim të kundërt, kujt i shërben në këtë proces, që është aq i madh sa askush nuk e ka luksin ta shndërrojë në projekt personal?

Të gjitha këto pikëpyetje të mbetura pa përgjigje dhe që kanë shtuar frikërat e publikut, po rrisin më shumë dyshimet se edhe nëse ka një draft marrëveshje me Serbinë, që po përflitet në kancelaritë perëndimore, oreksi politik i Hashim Thaçit, apo makthi për të ardhmen e vet, po e shndërrojnë atë në varrmihësin e parë të tij.

Me mënyrën se si është sjellë deri më tani, me komunikimin publik që ka iniciuar, me veprimet prej ilegali që ka kryer, presidenti kosovar e ka vënë veten në rolin e shkatërruesit kryesor të një pakti të mundshëm. Në pak ditë ai ka mbledhur më shumë, kundërshti, mosbesim dhe refuzim nga të gjithë faktorët shqiptarë, se cilido politikan i rangut të vet.

Natyrisht, që të flasësh për një marrëveshje me Beogradin, nuk është aspak e lehtë për cilindo lider. Pesha e rëndë e së shkuarës, po aq sa dhe sjellja e Serbisë post millosheviçiane, do t’a vendosnin këdo në syrin e ciklonit. Por ky nuk është rasti i Hashim Thaçit. Ai nuk po anatemohet për këtë. Ai po ngjall panik sepse në vend që të luante rolin unifikues të presidentit, duke shtruar trasenë e rrahjes së ideve dhe përbashkimit të njerëzve për t’u përgatitur për marrëveshje, ai po krijon imazhin e përvetësuesit të saj.

Prandaj sot jemi në situatën kur të gjithë po bërtasin: gjithçka përveç Thaçit. Sepse një çështje themelore për popullin e vet, ai po përpiqet ta luajë si një sfidë vetjake. Duke u bërë kështu pengesa kryesore e një dialogu dhe e një pakti që edhe pa të do të ishte tejet i vështirë të arrihej. /Lapsi.al/

Komentet

komentet