“Republika e Maqedonisë Veriore ka sasi të kënaqshme të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës në rezervat e mallrave, qytetarët të jenë të qetë, nuk pritet goditje çmimi i produkteve bazë ushqimore”, tha sot Qeveria.
Ata theksojnë se institucionet shtetërore monitorojnë çdo ditë situatën dhe marrin të gjitha masat për ruajtjen e standardit të qytetarëve.
Sipas shërbimit për shtyp qeveritar, aktualisht nuk ka nevojë për vënien në funksion të rezervave mallrake, duke qenë se prodhuesit e produkteve bazë kanë stoqe për një periudhë mbi 35 ditë, pa përfshirë ditët me të cilat mund të mbulojmë përmes rezervave shtetërore.
Vazhdojmë me furnizimin me rezerva shtetërore, siç parashihet në programin vjetor dhe si Qeveri po shqyrtojmë nevojat e mundshme për forcimin shtesë të dinamikës së rezervave, nëse ka nevojë për një gjë të tillë, thonë nga Qeveria.
Njëkohësisht apelojnë tek tregtarët që të respektojnë vendimin e qeverisë për marzhet tregtare, sepse, theksojnë, askush nuk do të humbasë nga ky vendim, përcjell INA.
Sipas Qeverisë, qytetarët duhet të jenë të sigurt në njoftimet e Bankës Qendrore, e cila ditëve të kaluara informoi se kursi i denarit është stabil dhe i tillë do të mbetet. Kjo strategji monetare e kursit të qëndrueshëm të denarit, theksojnë ata, është strategji e përshtatshme në përputhje me themelet e ekonomisë maqedonase. Sipas këtij konfirmimi të stabilitetit të kursit të këmbimit, rezervat valutore janë mjeti kryesor në këtë lloj strategjie monetare, të cilat sipas të dhënave më të fundit të disponueshme arrijnë në rreth 3.4 miliardë euro, që është dy herë më i lartë se në vitin 2008 të krizës financiare globale.(INA)