Madhësinë e derës së një shtëpie e bën i zoti i shtëpisë, i cili duhet të ketë nder, besë e fjalë, por kur nuk i ka këto, asaj shtëpie nuk i thuhet as shtëpi, e jo më derëmadhe! Në këtë formë iu përgjigj kreu i ASH-së Ziadin Sela, fjalëve të ish-bashkëpartikaut të tij, që po ashtu pretendon se është kryetar i ASH-së, Arben Taravari.
“Sipas traditës dhe të drejtës zakonore shqiptare, shtëpia, nuk është thjesht objekti ku rri por është nam dhe identitet! Të madhe apo të vogël një derë e një shtëpi e bën zoti i shtëpisë. Nderi, besa, fjala e dhënë dhe e mbajtur, burrëria janë atributet që ky zot shtëpie duhet ti ketë. E kur nuk i ka, as shtëpi e derë nuk i thonë e jo më e madhe”, tha Sela
E i pyetur për këtë qëndrim të Selës, Taravari i tha TV21 se ASH mbetet shtëpi e madhe por problem janë disa njerëz me ego të madhe.
“Problemi është që disa njerëz e kanë egon (krenari quajeni po të doni) aq të madhe sa ata dalin jashtë realitetit. Zakonisht këto lloj karakteresh me pa dashje dëmtojnë të tjerët por mbi të gjitha veten e tyre. Po, Aleanca për Shqiptarët është një derë e madhe dhe ka vend edhe për të vetmuarit që luten natën dhe “sedërtojnë” ditën”, tha Taravari.
Ky “komunikim” në distancë Sela-Taravari vjen pasi dy ditë më parë, i pyetur nëse ka gjasa për ribashkim të ASH-së, Taravari u shpreh se Aleanca shtëpi është e hapur, e madhe dhe se të gjithë janë të mirëseardhur. Ai është shprehur i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë për kandidatët për kryetarë komune, pasi kryesia e ASH-së vendosi që në zgjedhje lokale të shkojë me lista të veçanta për këshilltarë komunalë.