Konsulencë ligjore-Begzati
A MUND TË HAPET NJË PROCEDURË SHKURORËZIMI NË VENDIN E ORIGJINËS (KOSOVË, MAQEDONI, ETJ)?
Sipas një rregulle ligjore zvicerane, një procedurë shkurorëzimi mund të hapet pranë gjykatës së vendit ku gjendet vendbanimi i njërit nga bashkëshortët.
Kjo rregull aplikohet brenda territorit zviceran, por ajo aplikohet gjithashtu edhe jashtë vendit.
Për shembull, nëse të dy bashkëshortët janë me origjinë nga Kosova apo Maqedonia, njëri prej tyre, duke u bazuar në faktin se ka vendbanim në vendin e origjinës dhe se aty e posedon edhe shtetësinë, ekziston pra mundësia që kjo procedurë të hapet në shtetet në fjalë.
Siç duket, dhe sipas praktikave profesionale, është dëshmuar se këto raste ndodhin më shpesh atëherë ku ndonjëri nga bashkëshortët hasë disa vështirësi në Zvicër për me u shkurorëzuar apo për me e shpejtuar procedurën përkatëse.
Kështu që shprehet interesimi që shkurorëzimi të shqiptohet sa më shpejt, dhe pa telashe të mëdha, qoftë financiare apo administrative. E kjo mund të realizohet pak më lehtë në vendin e origjinës se sa në Zvicër.
Arsyet konkrete me siguri se më tepër bazohen në faktin se në praktikën zvicerane ndodhë shpeshherë që kohëzgjatja e procedurës deri në shpalljen definitive të shkurorëzimit është deri dy vite e më tepër.
Kjo ndodhë sidomos atëherë kur njëri nga bashkëshortët nuk është i pajtimit që të shkurorëzohet, kur dihet edhe ajo se ligji iu mundëson bashkëshortëve që “ta bllokojnë” procedurën deri dy vite. Kjo procedurë mund të shkurtohet në raste të përdorimit të dhunës familjare.
Përveç kësaj, në praktikën zvicerane, krahas shkurorëzimit aplikohen edhe etapat e ndarjes (që e dallon nga shkurorëzimi) dhe masat mbrojtëse të bashkësisë martesore. Këto janë gjithashtu aspekte që kanë si pasojë që një shkurorëzim mos të ndodh aq shpejt.
Janë këto disa etapa procedurale specifike zvicerane të cilat dallojnë dukshëm nga rregullat e disa shteteve të tjera. Kuptohet se është fjala për masa të cilat synojnë shmangien e shkurorëzimeve të “ngutshme” dhe para së gjithash mbrojtjen e interesave të fëmijëve të përbashkët.
Vetëm shkurorëzimi me marrëveshje (kur të dy palët janë vënë dakord) mund të ndodhë brenda afateve të shkurtëra, ku shpeshherë vetëm pas disa muaj procedurë, mund të shqiptohet shkurorëzimi.
Për rastet kur të dy palët janë dakord, vështirë është të gjinden shembuj të atyre që largohen nga Zvicra për me e hapur procedurën në ndonjë shtet tjetër.
Sa iu përket vendimeve të prura në vendet e origjinës, ata duhet pastaj t’iu drejtohen autoriteteve kompetente zvicerane për me e njohur vlerën e tyre juridike në territorin zviceran.
Kuptohet se ndodhë që vendimet e prura në vendet e origjinës të karakterizohen me mangësi të natyrave të ndryshme. Shpeshherë, nuk është fajësia e gjykatave, pasi këto të fundit i aplikojnë ligjet e shtetit të tyre, por është thjesht fjala për procedura të cilat duhet në parim të zhvillohen në vendin ku bashkëshortët jetojnë dhe veprojnë. Lista e arsyeve që e sqaron këtë është tejet e gjerë dhe e logjikshme.
Në fakt, vendimet e huaja shpeshherë nuk iu përshtatën situatave të personave që jetojnë në Zvicër. Njëra nga aspektet kyçe, siç janë çështja e mirëmbajtjes së njërit bashkëshort pas shkurorëzimit dhe ushtrimi i të drejtës së vizitës ndaj fëmijës janë gati se të pamundshme të definohen nga gjykatat e huaja dhe sipas rregullave që do të përputheshin me realitetet zvicerane.
Nëse njëri nga bashkëshortët ka iniciuar një procedurë në vendin e origjinës dhe pastaj instalohet sërish në Zvicër, kjo nuk domethënë aspak se vendimi përkatës do të aplikohet si i tillë. Duhet pra të risqarohen domosdo aspektet që kanë të bëjnë posaçërisht me obligimin e mirëmbajtjes dhe të drejtës së vizitës ndaj fëmijës, për shembull.
Obligimi i mirëmbajtjes ndaj bashkëshortit/es dhe fëmijëve do të aplikohet, pavarësisht përmbajtjes së një vendimi të huaj. Bien pra vendime të tjera sipas rregullave zvicerane.
Ndryshe prezantohet situata kur njëri nga bashkëshortët që e ka hapur procedurën në vendin e origjinës, vendos pastaj të jetoj në vendin e vetë apo nuk ka mundësi të vazhdoj qëndrimin e tij në Zvicër. Në këto raste, kuptohet së është vështirë apo gati se e pamundshme të kërkohet nga ish-bashkëshorti që jeton jashtë që t’i përmbush disa obligime sipas rregullave juridike zvicerane.
Kuptohet edhe ajo se pasojat nuk janë të ngjashme kur bëhet fjalë për raste kur bashkëshortët kanë apo nuk kanë fëmijë të përbashkët.