A mund të na mbrojë ftohja e zakonshme nga koronavirusi? Shkencëtarët shpjegojnë se si

0

Shkencëtarët kanë provuar se agjenti më i zakonshëm infektiv viral tek njerëzit dhe shkaku mbizotërues i ftohjeve, rinovirusi, mund të stimulojë mbrojtjen natyrore të trupit kundër viruseve të tjera. Ata arritën në përfundimin se në këtë mënyrë, ftohja e zakonshme mund të jetë mbrojtje ndaj sëmundjes COVID-19.

Një studim i kryer nga shkencëtarët në Universitetin Yale, arrin në përfundimin se prania e rinovirusit stimulon prodhimin e agjentit antiviral interferon, ndërsa kjo është pjesë e fazës fillestare të reagimit të sistemit imunitar ndaj sulmit të patogjenëve.

Dr. Ellen Foxman nga Universiteti Yale beson se virusi i mirënjohur që shkakton ftohjet stimulon mekanizmin normal mbrojtës të qelizave të rrugëve të frymëmarrjes, transmeton Panacea.

“Qelizat që do të mbrojnë rrugët e frymëmarrjes janë pikërisht aty nga vijnë të gjitha viruset për t’u shumëzuar”, shpjegon Dr. Foxman, dhe shton se kjo përfshin gripin, ftohjen e zakonshme dhe COVID-19, ose të gjitha viruset që mund t’i marrim përmes frymëmarrjes.

Ajo beson se përgjigja e tillë e organizmit gjithashtu vepron kundër sëmundjes COVID-19.

Nëse bëni eksperiment të tillë në një laborator, mund të “shtoni” interferon në qeliza dhe kështu të bllokoni virusin që shkakton COVID-19. “Sigurisht, ne sapo kemi filluar të eksperimentojmë,” shpjegon Dr. Foxman.

Sipas mjekut, ndonjëherë ndodhin gjëra të papritura, prandaj është e nevojshme të kryhen eksperimente shtesë për të parë rezultatet reale, ndërsa kjo është diçka që aktualisht është në proces.

Ajo rikujton faktin se imuniteti i bazuar në interferon zgjat deri në dy javë dhe nuk do të parandalojë infeksionin përgjithmonë, por ata janë të sigurt në veprimin e tyre kur bëhet fjalë për gripin, ndërsa COVID-19 është i paparashikueshëm. Interferoni mund të jetë mbrojtje e mirë kundër shumë viruseve, por funksionon vetëm në fillimin e infeksionit kur parandalon që virusi të “rritet”.

“Ndoshta duhet të bëjmë pak më shumë përpjekje dhe ta përdorim këtë përgjigje të trupit si mbrojtje të përkohshme për njerëzit në rrezik”, përfundon Dr. Foxman.