A mund të shpërthejë lufta në Tajvan – analizohen skenarët

Pas vizitës së politikanes amerikane, Nancy Pelosi, në Tajvani, Kina ka filluar stërvitjet ushtarake në gjashtë zona të ndryshme, duke e rrethuar ishullin, sipas mediave kineze.

Për këtë, ushtria e Tajvanit ka thënë se po i duhet të përgatitet për luftë, përkundër që s’po e kërkon atë. Në një deklaratë, Tajvani tha se Kina është duke përdorur stërvitje të paprecedentë për të tentuar që të ndryshojë status quo-në përmes tyre. “Ne nuk shohim eskalim, por ne nuk rrimë duarkryq kur vjen puna te siguria dhe sovraniteti”, ka thënë ministri i Mbrojtjes në një postim në Twitter.

Gjithashtu, në deklaratë, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se do t’iu duhet “të respektojë parimin e përgatitjes për luftë pa kërkuar luftë” dhe do të shmangë shkaktimin e mosmarrëveshjeve”.

Të enjten, Tajvani i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që t’i bëjë thirrje Kinës për të ndalë aktivitetin ushtarak, transmeton Gazeta Express.

Por, cilët janë skenarët që mund të shohim në këtë situatë?

Nëse Kina fillon të operojë afër e më afër Tajvanit është e mundshme që ne mund të shohim eskalim të situatës, thotë Bonnie Lin, drejtoreshë e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Nëse Kina vendos që t’i dërgojë aeroplanët në hapësirën ajrore të Tajvanit, atëherë ka shanse që Tajvani të përpiqet që t’i ndalojë ata. Dhe ajo që mund të ndodhë është një përplasje në ajër, duke luajtur shumë skenarë të ndryshëm”, tha ajo për BBC.

“Unë dyshoj se çfarëdo që Kina po bën në këto stërvitje [gjatë] dy ditëve të ardhshme, nuk do të jetë hera e parë dhe e vetme që Kina i bën ato. Kina po përpiqet të normalizojë një model sjelljeje më agresive kundër Tajvanit”, tha ajo.