A participojnë shqiptarët në Komunën e Kumanovës?!

REAGIM MBI DISKRIMINIMIN E KULTURËS SHQIPTARE NGA KOMUNA E KUMANOVËS:

A participojnë shqiptarët në Komunën e Kumanovës?!

Sektori civil, gjegjësisht shoqatat joqeveritare shqiptare në Komunën e Kumanovës shprehin pakënaqësi duke reaguar ashpër me rastin e ndarjes së buxhetit për kulturë, sport dhe aktivitete arsimore edukative për vitin 2022.

REAGIM

Buxheti vjetor 2022 për kulturë, sport e aktivitete arsimore-edukative në Komunën e Kumanovës, paraqet injorim total për shqiptarët e kësaj komune!
Duke u nisur nga ajo se Komuna e Kumanovës është multietnike, sektori civil i shoqatave joqeveritare, në takimet e ndara konsultative të mbajtur nga data 29.12.2021 deri 04.01.2022, pos tjerash shqyrtuan raportin për buxhetin e ndarë vjetor për kulturë, sport e aktivitete arsimore edukative nga kjo komunë. Me këtë rast vlerësuan se shihet qartë diskriminimi ndaj kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore edukative shqipe është i madh, dhe gjërat nuk janë ashtu siç dikush dëshiron t’i paraqesë.
Poashtu u konstatua se pushtetet vijnë e shkojnë, por bindjet ngelën të njëjta, e fatkeqësisht gjërat nuk ndryshojnë, por sa vijnë e përkeqësohen.
Ne, shoqatat joqeveritare shqiptare që merremi me zhvillimin e kulturës, sportit e aktivitetet arsimore-edukative, shpeshherë ndeshemi me ata që na përfaqësojnë, por edhe me ata që nuk na përfaqësojnë, kur është në pyetje ndarja e buxhetit të Komunës së Kumanovës, njëra ndër më të mëdhatë në shtet.
Por, meqenëse ne nuk kemi mundësi, të kemi qasje tek zyrat ku sillen vendimet, ua lëmë këshilltarëve komunal me të drejtën legjitime që e kanë t’i ndryshojnë gabimet që ndoshta me tendencë janë duke u bërë me vite e dekada.
Me keqardhje tani duam të ju përkujtojmë juve, që Ju kemi zgjedhur si përfaqësues tanë e të qytetarëve, se edhe ne shqiptarët participojmë në këtë pushtet vendor, edhe ndërmarrësit shqiptarë mbushin arkën e Komunës së Kumanovës, ku sipas të dhënave kemi shumë ndërmarrje shqiptare që prej 108.000 euro deri 1.400.000 milion euro paguajnë tatim në arkën e Komunës së Kumanovës e shtetit, nëse shtojmë edhe numrin e madh të diasporës shqiptare që investojnë në Komunën e Kumanovës, lirisht mund të themi se mbi 40% e buxhetit mbushet nga taksapaguesit shqiptarë, e të ndahen për kulturën, sportin e aktivitetet arsimore edukative shqipe kaq pak mjete që nuk arrin as 3% (tre për qind), kuptohet vetvetiu se kjo është mese mjerim.
Ne shoqatat joqeveritare gjithmonë deri më sot vetëm kemi heshtur duke thënë “amin” për aq të holla sa na ndaheshin për zhvillimin e kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore-edukative në Kumanovë, duke menduar se atje nëpër zyrat e komunës i kemi njerëzit që bëjnë “zhurmë“ kur bëhet ndonjë padrejtësi sa i përket ndarjes së buxhetit, për të cilin kemi bindjen se janë të vetëdijshëm se kontribuojmë edhe ne shqiptarët, e ku kanë të drejtë të ngritin zërin për hisen e buxhetit që ju takon shqiptarëve si taksapagues.
Kohëve të fundit kemi njoftime se ekziston edhe njëfarë organizate e formuar brenda Komunës së Kumanovës të cilën po e quajnë Fondacioni për kulturë dhe sport “Kumanovo”, e cila me kompetenca të plota vetë po vendoska për ndarje të financave nga buxheti i paraparë për kulturë, sport e aktivitete arsimore edukative në Kumanovë. Për fat të keq, në atë listë prej 23 projekteve të miratuara nga Këshilli i Komunës së Kumanovës për këtë fondacion me 8.580.000 denarë, nuk është asnjë projekt shqiptar! Aty madje kishte pasur vend edhe për “Javën e kulturës ruse”, por asgjë për kulturën shqiptare! Kjo është mjaft shqetësuese.
Këshilltarët shqiptarë duhet të ngritnin zërin e mos ta votonin këtë buxhet tendencioz, duke kërkuar që me ribalansin e ri të korrigjohet, ku kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore edukative shqipe, t’u ndahet hisja që u takon së paku mbi 30%, meqë kjo padrejtësi me vite e dekada ju bëhet.
Duke u nisur nga shkaqet e lartpërmendura, kanë pasur të drejtë ata që kanë marrë guximin të reagojnë në mbledhjen e Këshillit kur është miratuar ky buxhet. Ne ndajmë bindjen se nuk ka shqiptarë të tillë, që nuk duan zhvillimin e kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore edukative shqiptare, por papërgatitja dhe neglizhenca e tyre na ka sjellë në këtë derexhe.
Është koha e fundit që këshilltarët shqiptar gjithë të bëhet bashkë për t’ua prishë “matematikat” atyre që kanë tendencë për mos t’u ndarë financa për kulturën e sportin shqiptar që realizohen përmes shoqatave joqeveritare shqiptare.
Ju bëjmë me dije se keni përkrahje të parezervë kur mbroni interesin e kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore edukative shqiptare në Kumanovë.
Ky buxhet skandaloz për kulturën, sportin e aktivitetet arsimore edukative të Komunës së Kumanovës nuk duhet të mbështetet e aprovohet nga asnjë dorë shqiptare.
Prandaj, presim që të gjithë këshilltarët shqiptarë, maqedonas, serb, romë, vlleh, të reflektojnë sa më parë, duke korrigjuar një padrejtësi që me vite e dekada i bëhet kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore edukative shqiptare në komunën tonë!
Në të kundërtën jemi të detyruar të marrim hapa më radikalë për të luftuar këtë padrejtësi që me vite e dekada po i bëhet kulturës, sportit e aktiviteteve arsimore edukative.
Respekt për mirëkuptim !

Vijojnë nënshkrimet e vulat e shoqatave shqiptare:

-Shoqata ”Java Kulturore Shqiptare” – Kumanovë,
-Shoqata e Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri” – Kumanovë/Likovë,
-Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë,
-Shoqëria Kulturo- Artistike “ Bajram Shabani” – Kumanovë,
-OH.”El-Hilal” – dega Kumanovë,
-Klubet sportive, etj.

05.01.2022, Kumanovë