Në Maqedoninë e Veriut sipas disa mediave maqedonase tregu i makinave kineze po pritet të marrë hov. Sipas një shkrimi të portalit Faktor, ndikimi më i madh në rritjen e shitjeve në tregun vendor pati Geely, marka e re kineze e automjeteve miqësore me mjedisin.
Në vetëm 6 muaj, Geely shiti mbi 100 automjete.
Ndërkohë, sipas këtij portali, Evropa po përballet me një rënie të madhe të shitjeve të makinave. Për muajin gusht janë shitur 644 mijë makina të reja, ose 18.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ulje të shitjeve u regjistruan në katër tregjet më të mëdha evropiane – Gjermani, Itali, Francë dhe Spanjë. Por në të njëjtën periudhë në Maqedoni, përkundër faktit se është një treg shumë i vogël në krahasim me Evropën, është shënuar rritje e shitjes së veturave për rreth 50 për qind krahasuar me vitin 2023. Në korrik janë shitur 750 automjete – 640 automjete pasagjerësh dhe mbi 100 automjete transportuese. (INA)