A po largohet Bullgaria nga Perëndimi?

A do ta vendosë rezultati i fundit i zgjedhjeve parlamentare Bullgarinë në një rrugë më pro-ruse, anti-BE?

Dimitar Bechev, ligjërues në Universitetin e Oxfordit në një intevistë për Rel ka thënë se nuk mendon ashtu.

“Unë nuk mendoj kështu. Epo, mund të jetë ndryshe në faktin se Bullgaria nuk do ta shtrijë qafën aq shumë sa qeveria e mëparshme. Siç e mbani mend, Kiril Petkov qëndronte pas dëbimit të 70 diplomatëve rusë dhe personelit të ambasadës. Ishte e paprecedent. Për krahasim, Borisovi refuzoi të merrte veprime pas sulmit të Skripalit të marsit 2018 (kur Rusia u akuzua për helmimin në Angli të një ish-spiuni dhe vajzës së tij, duke nxitur sanksione nga Perëndimi).
Pra, nuk është se qeveria e ardhshme do të vërë veto ndaj ndonjë gjëje ose do të tundë barkën në Bruksel, por mendoj se çfarëdo që do të bëjnë, do të jetë për të shmangur sa më shumë qendrën e vëmendjes”, është shprehur Bechev.

Ai ka folur edhe për rolin e Partisë së ekstremit të djathtë, Rilindja, e drejtuar nga Kostadin Kostadinov.

“Epo, partia ka qenë oportuniste para luftës në Ukrainë. Gjithçka kishte të bënte me COVID-in – kundërshtimin e vaksinimit, kundërshtimin e mbajtjes së maskave. Ata kanë përshtatur situatë të re për këtë segment të elektoratit që ka qenë gjithmonë aty. Ata kanë një lider më të ri që është i aftë t’i afrohet këtij elektorati dhe nuk kam dyshim se Rusia e ka ndihmuar atë të përforcojë mesazhin e tij veçanërisht në rrjetet sociale për të maksimizuar shtrirjen e tyre. Por, kjo votë ka qenë gjithmonë aty.
Mos harroni në zgjedhjet presidenciale të vitit 2006, pati një balotazh me një kandidat të ekstremit të djathtë dhe pro-rus, Volen Siderov. Pra, Kostadin Kostadinov është rimishërimi i fundit i këtij lloj fenomeni që ekziston në Bullgari prej shumë kohësh”, ka theksuar profesori Bachev.

Sipas tij, tradicionalisht ka pasur gjithmonë forca pro-ruse në Bullgari.
“Epo, tradicionalisht ka pasur gjithmonë forca pro-ruse në ish-partinë komuniste, Partinë Socialiste Bullgare, por ka pasur një shkëputje midis lidershipit dhe radhëve. Por, partia është reduktuar në forcën e pestë më të madhe në Bullgari. Sa i përket perceptimeve publike për Rusinë, anketat sociologjike kanë treguar se një e katërta deri në një e treta e elektoratit ka pikëpamje të forta pro-Kremlinit. Me fjalë të tjera, nëse i pyet ata, nëse janë për daljen nga NATO dhe BE, apo për mbajtjen e referendumeve për anëtarësim, ata do të thonë “Po”.

Kjo është pothuajse me të njejtën përqindje me bullgarët properëndimorë. Megjithatë, pjesa më e madhe e bullgarëve janë miqësorë me Rusinë, por ata gjithashtu mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE. Por, ky bllok i fortë është ende atje, dhe ata e votojnë Rilindjen. Pra, nuk është një pamje fikse. Dhe, ju duhet të mbani mend se këto zgjedhje nuk ishin në mënyrë eksplicite për Rusinë e kundër Perëndimit, por kishin të bënin me çështje të brendshme dhe ekonomike”, ka shtuar ai. (INA)