A po shënjestron Mexhiti strukturën e BDI-së, duke filluar nga rinjtë? Derisa integristët kanë nisur reformën dhe vetingun brenda partisë, kryetari i Lëvizjes Demokratike, u bëri thirrje publike të rinjve të Bashkimit Demokratik për Integrim, që të bëhen pjesë e partisë së tij.
“Fryma e BDI-së së vërtetë është në kuadër të Lëvizjes Demokratike, andaj anëtari i thjeshtë, anëtari i devotshëm, ata të ri dhe të reja të cilët kanë bërë karrierë politike, administrative, nuk u është dhënë mundësia, prandaj po vijnë çdo ditë dhe unë po i ftoj çdo ditë – le të vijnë dhe le të bëhen pjesë e Lëvizjes Demokratike, pjesë e VLEN-it sepse ky është formacioni politik që do të udhëheqë me politikën shqiptare tash e tutje në Republikën e Maqedonisë së Veriut,u shpreh Izet Mexhiti, kryetar i LD-së.
Pikërisht të rinjtë e BDI-së, sot shprehën shqetësimin për, siç e quajtën, kaosin urbanistik në Çair, komunë e cila është bastioni i LD-së dhe që udhëhiqet nga kuadër i kësaj partie, Visar Ganiu.
Çairi po mbytet nga ndërtimet pa kriter, ndërsa komuna hesht. Rrugët po shkatërrohen, infrastruktura është në kolaps, dhe qytetarët kanë gjithnjë e më pak hapësira për të jetuar me dinjitet. Askush nuk e di më kush jep leje, kush ndërton dhe kush përfiton nga ky kaos i organizuar.
Por një gjë është e qartë: qytetarët janë viktimat, ndërsa pushteti dhe klientela e tij janë përfituesit, tha Sinan Vejseli nga BDI.
Ndryshe, Mexhiti, ishte një nga figurat kyçe të BDI-së për më shumë se dy dekada. Ai u largua nga partia në vitin 2023 pas pakënaqësive që kishte. Më pas krijoi Lëvizjen Demokratike dhe iu bashkua koalicionit opozitar VLEN. Kjo përballje mes Mexhitit dhe BDI-së pritet të intensifikohet në muajt e ardhshëm, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale.