Xhelal Neziri nga Qendra për Hulumtime SCOOP, thotë për Radion Evropa e Lirë se debatet brenda për brenda kësaj partie zhvillohen rreth zgjidhjeve kadrovike dhe ideologjisë së partisë.
“Kur bëhet fjalë për problemin që lidhet me BDI-në, këtu nuk kemi të bëjmë me një manovrim ndryshe për sa i përket orientimit të partisë, për sa i përket politikave të programit të saj, por kemi të bëjmë për pakënaqësi rreth politikave kadrovike”, thotë Neziri.
Albert Musliu nga Qendra për zhvillim demokratik, duke komentuar faktin se në mesin e grupit të pakënaqur me funksionimin e BDI-së janë të nënshkruar dhe dy deputetë, konsideron se pas kësaj, shumica vihet para sfidës për sigurimin e numrave, porse jo edhe rënies së Qeverisë.
Shumica parlamentare aktualisht përbëhet nga 64 deputetë, kundrejt të paktën 61 aq sa nevojiten.
“Në aspektin teorik çdo gjë mund të ndodhë. Por, rënia e Qeverisë është më pak e besueshme për shkak se edhe ky grup i pakënaqur nuk e ka për qëllim rrëzimin e Qeverisë, por organizimin më efikas të partisë së tyre në aspektin ideologjik. Kështu që mendoj se realisht nuk rrezikohet Qeveria nga rrëzimi”, thotë Musliu.
Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Sefer Seimi. Ai thotë se pavarësisht se pa këta dy deputetë, shumica parlamentare është me 62 deputetë, kokëfortësia e Ali Ahmetit mund t’u japë krahë partive të tjera që janë pjesë e Qeverisë e që në shumë raste kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për politikën e Qeverisë dhe tani vota e tyre bëhet vendimtare për qëndrueshmërinë e partisë.
“Nëse merren parasysh lëvizjet që shkaktohen në partitë e tjera politike, kryesisht ato të voglat që janë pjesë e Qeverisë, krahas kësaj që ndodh tash në Bashkimin Demokratik për Integrim, mund të vihet në pikëpyetje, jo vetëm funksionimi normal i Kuvendit, por edhe mbijetesa e Qeverisë”, konsideron Selimi.
Ndryshe, partia maqedonase Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, beson se shumica parlamentare është e qëndrueshme pavarësisht përplasjeve brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, përkatësisht faktit se pjesë e fraksionit janë dhe dy deputetë.
Partiaë shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, konsideron se problemi është shumë i thellë dhe se kjo mund të çojë në ndarjen e kësaj partie, duke vënë në pikëpyetje dhe stabilitetin e Qeverisë.